Donis Avdijaj e ka kompletuar transferimin te skuadra e Bundesligës austriake, Wolfsberger.
Avdijaj me Wolfsbergerin ka nënshkruar kontratë dyvjeçare. Këtë e ka bërë të ditur të hënën klubi nga Austria në faqen zyrtare.
Avdijaj i është bashkuar Wolfsbergerit si futbollist i lirë pasi i skadoi kontrata me Hartbergun.
Sulmuesi Avdijaj te Wolfsbergeri do ta vesh fanellën me numrin dhjetë.
“Jam i kënaqur që jam lojtar i Wolfsbergerit duke filluar nga sot. Kam pasur kontakte veçanërisht të mira me trajnerin gjatë vitit të kaluar. Pata disa oferta por pas një shqyrtimi të kujdesshëm, vendosa për Wolfsbergerin. Një klub i menaxhuar mirë, një trajner shumë i mirë, një skuadër e fortë dhe tifozë entuziastë”, është shprehur Avdijaj pas nënshkrimit të kontratës.
Ndërkohë trajneri i Wolfsbergerit, Dietmar Kuhbauer, theksoi se Avdijaj është lojtar shumë i njohur në Austri.
“Donisi është një lojtar shumë i njohur në Austri dhe gjithmonë ka luajtur mirë këtu. Ai është rritur edhe si person vitet e fundit dhe padyshim do të na ndihmojë në sulm. Jam i lumtur që arritëm ta nënshkruajmë atë”, ka thënë Kuhbauer.
28-vjeçari Avdijaj ishte prej më të mirëve te skuadra e Hartbergut. Ai karrierë ka bërë edhe në disa skuadra të ndryshme evropiane.