Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Australia e Peruja kërkojnë një vend në Botëror

Australia dhe Peruja nga plejofi e siguruan kualifikimin në Kupën e Botës herën e kaluar. Por për botërorin “Katari 2022” vetëm njëra nga to do ta ketë këtë mundësi.

Këto dy përfaqësuese takohen në finalen e plejofit interkontinental, të hënën prej orës 20:00 në Katar, për një vend që dërgon në Botërorin e futbollit që mbahet në nëntor e dhjetor të këtij viti.

Australia u kualifikua në Botërorin e vitit 2018 duke e eliminuar Hondurasin pas dy ndeshjeve. Ndërkohë Peruja kishte fituar ndaj Zelandës së Re për ta siguruar një vend në Botërorin që ishte mbajtur në Rusi.

Kësaj radhe Australia dhe Peruja do të luajnë kundër njëra-tjetrës në një ndeshje të vetme.
Ndeshja zhvillohet në “Ahmad bin Ali Stadium” në Al Rayyan. Ky stadium do të përdoret edhe për finalet e Botërorit.

Australia tashmë e ka kaluar një plejof të fortë. E eliminoi ekipin e Emirateve të Bashkuara Arabe, në të njëjtin stadium ku do të zhvillohet ndeshja të hënën, për ta fituar të drejtën e paraqitjes në plejofin interkontinental. Në plejofin interkontinental e përfaqëson Konfederatën Aziatike të Futbollit.

Ndërkohë Peruja doli në vendin e pestë në super-grupin kualifikues të Amerikës së Jugut.

Australia e arriti suksesin javën e kaluar nëpërmjet golit të shënuar nga Ajdin Hrustiq, gjashtë minuta para fundit. Fitoi 2:1 ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Kjo është ajo për të cilën u kam folur djemve, për ADN-në e australianëve”, kishte thënë përzgjedhësi Graham Arnold pas ndeshjes. “Dhe kjo është lufta dhe çdo gjë që mund të bëhet për ta fituar një ndeshje. Pa marrë parasysh se si fituam, kujt i intereson? Thjeshtë fito”.

Peruja e mbylli grupin më lart se Kolumbia dhe Kili në kualifikimet e Amerikës së Jugut, duke vazhduar me tejkalimin e pritshmërive nën drejtimin e përzgjedhësit argjentinas, Ricardo Gareca. Ai ishte arkitekt i paraqitjeve të Perusë në Rusi katër vjet më parë.

Gareca ishte në Doha javën e kaluar për ta parë fitoren e Australisë.

“Ishte ndeshje intensive dhe e fortë. Por ne e dimë tashmë këtë për Australinë dhe do të përgatitemi të japim gjithçka”, kishte thënë pas ndeshjes trajneri argjentinas.

Marcos Lopez dhe Yoshimar Yotun kanë telashe me lëndime te Peruja, derisa Australia është duke i pritur testet për sulmuesin Adam Taggart dhe mbrojtësin Trent Sainsbury.

Autoritetet në Peru të shtunën njoftuan se e hëna do të jetë ditë feste. Numër i madh i njerëzve në Peru do të mund ta shohin transmetimin e ndeshjes në kohë dreke.

Takimi i së hënës do ta vendosë skuadrën e parafundit nga 32 sa marrin pjesë në Botërori në Katar.

Të martën, Zelanda e Re dhe Kosta-Rika do të takohen në finalen tjetër të plejofit interkontinental në Doha. Fituesi i ballafaqimit siguron biletën e fundit për në ngjarjen më të madhe të futbollit.

Botërori nis më 21 nëntor dhe mbaron më 18 dhjetor.

Artikuj të ngjashëm