Sport

Atletët me pak sukses edhe në ditën e dytë

Atletët e Kosovës kanë vazhduar me gara në Lojërat e treta Evropiane, që po mbahen në Krakow dhe Malopolska të Polonisë e që është edhe Kampionat Ekipor Evropian në këtë sport. Edhe në ditën e dytë, atletët kosovarë, në divizionin e tretë patën pak sukses.

Një atlet nuk hyri fare në garë, ndërsa një tjetër nuk e përfundoi garën. Suksesin më të madh e arriti Gresa Bakraçi. Ajo e mbylli vrapimin 800 metra e pesta. Koha e Bakraçit ishte 2:07.67 minuta, që është evidentuar si rekord nacional. Koha e fitueses ishte 2:03.39 minuta.

Ndërkohë, Florentina Restelica garën në 400 metra me pengesa e mbylli e pesta. Ajo e përfundoi garën për 1:15.10 minuta. Vrapimin me pengesa e mbylli edhe Donika Kryemadhi. Por ajo doli e fundit në garën 100 metra me pengesa. Kishte kohë prej 20.66 sekondash.

I fundit doli edhe Florian Berisha. Ai në pozitën e shtatë u rendit me kohë prej 1:00.88 minutash. Berisha garoi në 400 metra me pengesa.

Lirije Peci doli e 14-a. Ajo në trehapësh kërceu 9.59 metra, ndërsa Erudit Rysha nuk garoi.

Garën 1500 metra vrapim nuk arriti ta përfundojë Astrit Kryeziu. Ai vlerësohet prej atletëve më të mirë që ka Kosova. Por ai bashkë me atletin e Shqipërisë, Bledar Mesi, nuk përfunduan garën. Pra, ishin dy garuesit e vetëm që nuk përfunduan garën prej 14 garuesish sa morën pjesë.

Larg pritjeve të tij ishte edhe hedhësi i diskut, Alaudin Suma. Suma prej tri gjuajtjeve, rezultatin më të mirë e kishte në gjuajtjen e tretë. Atleti nga Mitrovica doli i 11-i. Pas tij u rendit garuesi nga Shqipëria, Admir Dizdari. Gjithsej kishte 14 garues, ndërsa atleti nga Austria hodhi diskun 62.12 metra.

“Jam larg rekordit të Kosovës, të cilin e kam vendosur vetë. Rekordi është 50.33 metra”, ka thënë Suma të mërkurën për KOHËN.

Kosova nuk ka lëvizur në renditjen e Divizionit tre, është e 14-a, përkatësisht e parafundit. I ka 95 pikë të tubuara.