Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Arteta flet pas barazimit ndaj Southamptonit

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka thënë pas barazimit me Southamptonin të premten mbrëma 3:3 në kuadër të xhiros së 32-të të Premier Leagues se lojtarët kanë luftuar shumë për të marrë një rezultat pozitiv me skuadrën që lufton për mbetje në elitën e futbollit anglez.

“Lojtarët dëshironin të ktheheshin në lojë. Ajo që unë kam përjetuar me lojtarët, stafin dhe tifozët tonë, është e pabesueshme. E di se sa e vështirë është. Bënë një gabim dhe je në disavantazh prej një goli. Bënë tjetër gabim dhe është 2:0. Mundohesh të luash kundër një skuadre që është në situatën në të cilën gjendet aktualisht. Pasi e kaluan gjysmën e fushës për herë të parë në pjesën e dytë, ata shënuan edhe golin e tretë. Pastaj vjen pyetja: Çfarë duhet të bësh në aspektin kolektiv dhe individual? E kam pëlqyer shumë kundërpërgjigjen e lojtarëve të mi. Kënaqem me ta në stërvitje. Në fund, ndodhi një moment magjik. Krijuam shumë shanse për gol por barazuam 3:3”, theksoi Arteta pas ndeshjes.

Me këtë barazim, Arsenali mbetet lider me 75 pikë, pesë më shumë se Manchester City që ka dy ndeshje më pak të luajtura.

Southamptoni i fundit në tabelë ka 24 pikë dhe po lufton për mbetje në ligë.

Arsenali ka kalendar të vështirë në dy ndeshjet e ardhshme. Udhëton te Manchester City, ndërsa e pret Chelsean. Më pas sërish luan në udhëtim te Newcastle, që synim e ka arritjen në Ligën e Kampionëve për edicionin tjetër.

Artikuj të ngjashëm