Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ende nuk e ka kapërdirë humbjen e ekipit të tij vikendin e shkuar në Premier League. Arsenali u mposht 1:0 nga Newcastle Unitedi për ta regjistruar humbjen e parë në kampionat, ndërsa pas ndeshjes Arteta ishte i ashpër me arbitrat. Goli i shënuar nga Newcastle u pranua edhe pse u rishikua në VAR për tri arsye të ndryshme, ndërsa Arteta tha se ndihej i turpëruar dhe se vendimet e arbitrave ishin një “turp” për futbollin anglez.
Shpërthimin emocional të fundjavës, Arteta e mbrojti të martën në prag të ndeshjes kundër Sevillas në kuadër të Ligës së Kampionëve. Ai tha se e ka për detyrë ta mbrojë ekipin, i cili pret të reagojë në Champions pas humbjes në Premier League.
Arsenalit i duhet fitorja ndaj Sevillas për të avancuar në fazën nokaut dhe Arteta pret që kjo të konfirmohet të mërkurën mbrëma. Prej orës 21:00 Arsenali e pret Sevillan në stadiumin “Emirates” të Londrës në ndeshjen e xhiros së katërt të Grupit B. Ndeshja e parë e luajtur para dy javësh në Spanjë ka përfunduar me fitoren e Arsenalit me rezultatin 2:1.
Arsenali është lider i grupit me gjashtë pikë, katër më shumë se Sevilla që zë vendin e tretë. Dy pikë i ka edhe PSV Eindhoveni në vendin e fundit, ndërsa Lensi renditet i dyti me 5 pikë. Deri në fund janë edhe tri xhiro.
“E kemi një rast të mirë për të reflektuar ndaj humbjes së hidhur në kampionat dhe besoj se do ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Besoj se ndaj Sevillas do t’i rregullojmë gjërat dhe do të marrim një fitore të merituar, e cila bën që të vazhdojmë garat përtej fazës së grupeve”, është shprehur Arteta. “Me fitore duhet t’ua dëshmojmë tifozëve tanë se sa jemi të emocionuar që po luajmë në Champions pas një kohe të gjatë. Bazuar në ndeshjen në Spanjë e kam parasysh se nuk do të jetë lehtë për shkak se Sevilla është një ekip me përvojë të madhe në garat evropiane”.
Te Sevilla kanë paralajmëruar se në Londër kanë udhëtuar për ta kompensuar disfatën e përjetuar në shtëpi. Skuadrës spanjolle i duhet fitorja për të mbetur në garë.
Trajneri Diego Alonso pret që ekipi i tij të bëjë një paraqitje të mirë dhe të marrë një rezultat të favorshëm ndaj Arsenalit për të mbetur në lojë që të avancojë nga Grupi B. Për dallim prej Arsenalit, skuadra spanjolle do të jetë e kompletuar për këtë përballje. Arsenalit do t’i mungojë sulmuesi Gabriel Jesus që ende nuk është rikuperuar nga lëndimi, ndërsa në dyshim mbetet kapiteni Martin Odegaard.
“Na duhet patjetër një rezultat i favorshëm për të mbajtur shpresat gjallë dhe për të pasur një mundësi që të kalojmë nga grupi. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe shumë e rëndësishme për ne. Lojtarët nuk do të dorëzohen dhe do ta kërkojnë deri në fund fitoren, pasi në ndeshjen e parë nuk patëm paraqitje të dobët, por reaguam me vonesë. Do të inkuadroj ekipin më të fortë të mundshëm për arritjen e këtij qëllimi”, paralajmëroi Alonso.
Dueli tjetër i Grupit B është ai ndërmjet PSV Eindhovenit dhe Lensit, që barazuan 1:1 në Francë para dy javësh.
Edhe Bayern Munichu mund ta konfirmojë kualifikimin në fazën nokaut të Championsit. Skuadra bavareze përballet në shtëpi me Galatasarayn në kuadër të Grupit A, prej orës 21:00. Bayerni i prin grupit me 9 pikë pas tri ndeshjeve dhe me fitore ndaj Galatasarayt do ta zyrtarizonte avancimin tutje. Bavarezët në duelin në Turqi e mposhtën 3:1 Galatasarayn, i cili ka katër pikë. Kalimin nga ky grup e kërkon edhe Manchester Unitedi, i cili do të ketë punë në Danimarkë kundër Copenhagenit, të cilin e mposhti 1:0 në “Old Trafford” para dy javësh. Unitedi ka tri pikë dhe me fitore ndaj danezëve, si dhe me humbje eventuale të Galatasarayt nga Bayerni do të ishte kandidat serioz për avancim nga ky grup. Edhe ndeshja në Danimarkë nis në orën 21:00.
Të mërkurën dy ndeshje startojnë në orën 18:45. Napoli e pret në shtëpi Union Berlinin, ekip që ka tri humbje në Grupin C, ndërsa në Grupin D, Real Sociedadi luan në Spanjë kundër skuadrës së Benficas.
E mërkurë
Grupi A
Bayern M. – Galatasaray (21:00)
Copenhagen – Man. Utd (21:00)
1. Bayern M. 3 9
2. Galatasaray 3 4
3. Man. Utd 3 3
4. Copenhagen 3 1
Grupi B
Arsenal – Sevilla (21:00)
PSV Eindhoven – Lens (21:00)
1. Arsenal 3 6
2. Lens 3 5
3. Sevilla 3 2
4. PSV Eindhoven 3 2
Grupi C
Napoli – U. Berlin (18:45)
Real Madrid – Braga (21:00)
1. Real Madrid 3 9
2. Napoli 3 6
3. Braga 3 3
4. U. Berlin 3 0
Grupi D
R. Sociedad – Benfica (18:45)
Salzburg – Inter (21:00)
1. R. Sociedad 3 7
2. Inter 3 7
3. Salzburg 3 3
4. Benfica 3 0