Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Arteta për referimin në Angli: Më vjen turp që jam pjesë e kësaj

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, është shprehur i frustruar për golin që skuadra e tij pranoi nga Newcastle United në xhiron e 11-të të Premier Leagues të shtunën.

“Topçinjtë” pësuan humbjen e parë sezonale në Angli. Anthony Gordon shënoi golin e vetëm në minutën e 64-t në një situatë të shumëdiskutueshme e të rishikuar gjatë në sistemin VAR. Në rishikimin e rastit, fillimisht u dyshua për top jashtë loje, pastaj për ndërhyrje të parregullt e në fund edhe për pozitë jashtë loje. Në fund goli u pranua.

“Nëse ishte një skuadër që meritonte fitoren sot, ishte Arsenali. I turpëruar për atë që ndodhi sot – se si qëndroi goli, në Premier League – në këtë ligë që themi se është më e mira në botë. Jam qe 20 vjet në këtë shtet dhe tani ndihem i turpëruar”, ka thënë Arteta pas ndeshjes duke shtuar se e merr përgjegjësinë sa herë që skuadra nuk bën paraqitje të mirë.

“Rezultati (referimi) nuk është as afër nivelit që kjo ligë duhet ta ketë dhe për mënyrën se si garohet në të. Nuk është mirë mjaftueshëm. Më vjen turp që jam pjesë e kësaj”, ka shtuar spanjolli.

Arsenali ngel i treti në tabelë me 24 pikë pas 11 ndeshjesh. I pari është Manchester City me tri pikë më shumë, e Tottenhami i dyti me 26.