Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Arsenali fiton bindshëm ndaj Evertonit

Arsenali e ka fituar bindshëm duelin e mbetur të xhiros së shtatë të Premier Leagues së Anglisë. “Revolveristët” të mërkurën mbrëma fituan ndaj Evertonit me rezultatin 4:0, me nga dy gola në secilën pjesë. Katër gola e më shumë brenda një ndeshjeje, Arsenali i ka shënuar Evertonit për herën e 12-të në elitën e futbollit anglez. Ishte edhe fitorja e 100-të e Arsenalit ndaj Evertonit në ligë. Bukayo Saka në minutën e 40-të dhe Gabriel Martinelli në minutën e parë të shtesës në pjesën e parë, dërguan Arsenalin në pushim me epërsi të dy golave.

Martin Odegaard e realizoi golin e tretë në minutën e 71-të, pas aksionit që u nis nga Granit Xhaka. Martinelli e shënoi edhe golin e katërt të vendësve në minutën e 80-të. Saka është bërë lojtari i gjashtë në Premier League, që e arrin shifrën e 50-të të golave e asistimeve së bashku në këtë garë. Një gjë të tillë më herët e kishin bërë Michael Owen, Wayne Rooney, Robbie Fowler, Cesc Fabregas dhe Chris Sutton.

Xhaka luajti deri në minutën e 73-të në këtë ballafaqim. Me pikët e plota, Arsenali tani me 60 pikë shkëputet në pesë pikë në tabelë nga ndjekësi dhe kampioni në fuqi i Premier Leagues, Manchester City. Evertoni në 25 ndeshje mbetet në pozitën e 18-të me 21 pikë.

Artikuj të ngjashëm