Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Arsenali bëhet gati për duelin ndaj Benficas

Arsenali ka stërvitur në qendrën stërvitore “London Colney” të mërkurën, një ditë para duelit të Ligës së Evropës kundër Benficas, në kuadër të fazës së 32 skuadrave më të mira të kësaj gare.

Të dyja ndeshjet me Benfican do të luhen në terrene neutrale për shkak të problemeve me udhëtim si pasojë e koronavirusit.

Benfica në duelin e parë do të jetë nikoqire në “Stadio Olimpico” të Romës. Dueli kthyes do të luhet pas një jave dhe jo në Londër, por në Greqi, në shtëpinë e Olympiacosit.

Kapiteni Pierre-Emerick Aubameyang pritet të jetë lider i Arsenalit në fazën e sulmit pas “hat-trickut” të shënuar kundër Leeds Unitedit. Mund të rikthehet në formacion edhe Kieran Tierney.

Benfica në këtë duel do të hyjë me formë jo të mirë. I ka fituar vetëm dy nga tetë ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat, ndërsa pozicionohet në vendin e katërt në Primeira Ligan e Portugalisë. Ka 13 pikë më pak se lideri dhe rivali i qytetit, Sportingu.