Futboll

Arsenali synon të mos bëjë gabim ndaj Wolverhamptonit

Arsenal

Foto: Associated Press

Pas dy ndeshjeve në udhëtim tek Aston Villa dhe Club Brugge, Arsenali në vikend kthehet në stadiumin “Emirates” ku do të përballet me Wolverhamptonin.

Ndeshja Arsenal – Wolves luhet të shtunën nga ora 21:00 dhe i takon xhiros së 16-të. Në letër, kjo lojë për Arsenalin duket e lehtë, pasi lideri luan ndaj vendit të fundit. 

“Topçinjtë” të mërkurën fituan 3:0 në udhëtim te Club Brugge në Ligën e Kampionëve, por në Premier League fundjavën e kaluar pësuan disfatë 2:1 nga Aston Villa.

Ishte disfata e parë që prej muajit gusht, dhe gara në elitën angleze është bërë më e fortë. Arsenali i pari ka 33 pikë, dy më shumë se Manchester City.

Ëolverhamptoni është i fundit në tabelë me vetëm dy pikë.

Vëmendja në këtë fundjavë do të jetë edhe në “Anfield” ku ende nuk dihet nëse Mohamed Salah do të jetë titullar në ndeshjen ndaj Brightonit. Ndeshja Liverpool – Brighton nis në orën 16:00 të shtunën, në të njëjtin orar me duelin Chelsea – Everton.

City i Pep Guardiolas pas fitores së madhe në “Bernabeu” ndaj Real Madridit, udhëton për ndeshjen ndaj Crystal Palacet të dielën nga ora 15:00. Në maj këto dy skuadra luajtën në finale të Kupës FA, dhe fitues ishte Crystal Palace.

Derbi i zjarrtë pritet të zhvillohet në “Stadium of Light”. Sunderlandi me kapitenin Granit Xhaka, lider të mesfushës, do të ballafaqohet me Newcastle Unitedin.

Kjo xhiro mbyllet me duelin Manchester United – Bournemouth, që luhet të hënën nga ora 21:00.