Në Premier League kanë mbetur edhe tri xhiro për t’u luajtur dhe gara mbetet e hapur për titull, kualifikim në kupat evropiane dhe mbetje në elitë.
Ndonëse derbi luhet të shtunën nga ora 13:30 mes Liverpoolit e Chelseat, vëmendja do të jetë në Londër, në duelin West Ham – Arsenal, të dielën nga ora 17:30.
Këto ndeshje i takojnë xhiros së 36-të të Premier Leagues.
Arsenali, që vjen në këtë ndeshje pas avancimit në finale të Ligës së Kampionëve, e ka titullin në duart e tij, pas gabimit të Manchester Cityt të hënën që barazoi 3:3 në udhëtim tek Evertoni.
Arsenali është i pari me 76 pikë, pesë më shumë se City që e ka një ndeshje më pak të luajtur.
West Hami është i 18-ti me 36 pikë, pozitë që nuk siguron mbetjen në elitë.
Në dy vizitat e fundit në këtë stadium, Arsenali i ka shënuar 11 gola. Një tjetër fitore do ta afronte shumë me titullin e parë pas 22 vjetësh. Ndërkohë, humbja do t’ia zbehte gjasat West Hamit për të vazhduar në Premier League.
Edhe
Skenarë të shumtë edhe në Premier League
Manchester City të shtunën nga ora 18:30 luan në shtëpi ndaj Brentfordit.
Brentfordi garon për kupat evropiane, pasi është në vendin e shtatë me 51 pikë.
Sunderlandi luan ndaj Manchester Unitedit të shtunën nga ora 16:00, ndërsa xhiroja mbyllet të hënën me ndeshjen Tottenham – Leeds United. Edhe Tottenhami nuk e ka të sigurt qëndrimin në Premier League. I ka 37 pikë në vendin e 17-të.