Futboll

Arsenali pret Bayernin në top-ndeshjen e Championsit

Arenal

Foto: Associated Press

Vetëm tri prej 36 skuadrave në Ligën e Kampionëve i fituan të gjitha katër ndeshjet e para të fazës së ligës.

Dy prej tyre takohen të mërkurën mbrëma, prej orës 21:00. Arsenal – Bayern është kryendeshja e xhiros së pestë të fazës së ligës në Champions. Zhvillohet në “Emirates” në Londër.

Pos Bayernit e Arsenalit, katër fitore nga katër ndeshje i ka edhe Interi.

Si Arsenali ashtu edhe Bayerni synojnë të konfirmojnë formën e mirë që po e kalojnë. Arsenali në Premier League është lider me 29 pikë, gjashtë më shumë se Chelsea. Në fundjavë fitoi thellë, 4:1, ndaj Tottenhamit.

“Noni Madueke dhe Gabriel Martinelli janë në dispozicion. Duhet të vendosim edhe për Martin Odegaardin. Ai ishte shumë pranë në ndeshjen e kaluar, kështu që shpresojmë se nesër do të jetë në skuadër”, ka thënë trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, derisa ka folur për gjendjen në skuadër.

Ai thotë se tek Arsenali i duan ndeshjet si kjo me Bayernin.

“Ne kishim vazhdimësi në ligë dhe në Champions, njëjtë si Bayerni. Ndeshja e nesërme do të jetë test i madh për të parë se ku qëndrojmë. Kemi pasur përgatitje shumë të mirë, ndonëse jo për kohë të gjatë. Por ishte fazë përgatitore shumë efektive. E dimë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje”, ka shtuar Arteta.

Bayerni fitoi 6:2 ndaj Freiburgut në fundjavë, në kuadër të Bundesligës. Ndeshjen e kaluar në Champions e kishte fituar ndaj PSG-së në Paris.

Në kampionatin gjermani, Bayerni udhëheq në tabelë me 31 pikë, gjashtë më shumë se Leipzigu.
Të mërkurën janë edhe disa ndeshje të tjera interesante në garën elitare për klube të futbollit.
Interin e pret udhëtim i vështirë. Luan në Madrid ndaj Atleticos. Kampioni anglez, Liverpooli do të mundohet të bëj hap drejt daljes nga kriza me ndeshjen në shtëpi ndaj PSV-së. Real Madridi luan në Greqi ndaj Olympiacosit, ndërsa ndeshje interesante pritet të jetë edhe ajo në mes të PSG-së dhe Tottenhamit.

Të gjitha këto ndeshje fillojnë në orën 21:00, njëjtë si apo Eintracht Frankfurt – Atalanta dhe Sporting – Club Brugge. 

Në terminin prej orës 18:45 janë takimet Copenhagen – Kairat Almaty dhe Pafos – Monaco.