Sport

Arbnor Muja, debutim ëndrrash me Trepçën ‘89

Në suksesin e Trepçës ’89, e cila e fitoi Superkupën e Kosovës, pas triumfit të thellë ndaj Besës 5:0, kontribut të madh dhanë edhe dy vëllezërit, Arbnor e Ardian Muja.

Që të dy debutuan me fanellën e 89-shit, duke u inkuadruar në lojë në pjesën e dytë nga trajneri Zekirija Ramadani.

Debutimi ishte më i ëmbël për Arbnor Mujën, i cili edhe arriti të shënojë golin e katër për mitrovicasit, kurse Ardiani edhe pse pati raste, nuk arriti të regjistrohet në listën e shënuesve.

Në një intervistë për Sportin në KTV, Arbnor Muja thotë se nuk e ka pritur që të debutojë në ndeshjen e Superkupës.

18-vjecari thotë se është i gatshëm ta ndihmojë skuadrën edhe në ndeshjet e kampionatit, nëse do t’i jepet rasti.

Muja tregon se që nga fëmijëria luan së bashku me vëllanë e tij të madh, Ardianin, nga i cili nuk dëshiron të ndahet asnjëherë.

Pavarësisht që Muja cilësohet si një futbollist i talentuar, ai asnjëherë nuk është ftuar nga trajnerët e grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës.

Dy vëllezërit nga Mitrovica ishin pjesë e Trepçës në sezonin e kaluar dhe u transferuan te Trepça ’89 në afatin kalimtar të verës.