Roma ka njoftuar për transferimin e mesfushorit Houssem Aouar. Ai kaloi te Roma si futbollist të lirë pasi i ka skaduar kontrata me skuadrën franceze Lyon.
24-vjeçari ka nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare të dielën, të vlefshme deri në vitin 2028.
Aouari ishte pjesë e Lyonit prej moshës 11-vjeçare, kur iu bashkua Akademisë së klubit në vitin 2009.
Ai ka luajtur 179 ndeshje në Ligue 1. Ka shënuar 30 gola dhe 24 asistime, ndërsa pesë gola të tjerë i ka realizuar në 34 ndeshje në Ligën e Evropës dhe në Ligën e Kampionëve.
“Jam shumë i lumtur që u transferova te Roma, sepse është klub i madh me histori të madhe. Mendoj se është projekti i duhur për mua. Ka lojtarë kualitativë dhe tifozë të zjarrtë”, ka thënë Aouar ndër të tjera për faqen zyrtare të klubit.