Anglia kundër Gjermanisë në stadiumin “Wembley” në Londër. Një finale që nënvizon shtatin në rritje të futbollit të femrave në Evropë dhe i bën jehonë historisë së dekadave. Kur vendi pritës Anglia do të përballet me Gjermaninë në finalen e Kampionatit Evropian të dielën, do të ketë një turmë rekord të turneut prej gati 90.000 shikuesish në tribuna. “Euro 2022” në tërësi do të jetë lehtësisht më i ndjekuri ndonjëherë. E mundi shifrën e mëparshme prej 240.000 shikuesish pjesërisht në fazën e grupeve.
“Do të jetë një festival i madh futbolli”, tha përzgjedhësja e Gjermanisë, Martina Voss-Tecklenburg. “Kjo finale është një klasike e futbollit, Angli-Gjermani”.
Anglia synon të fitojë titullin e saj të parë të madh të turneut të femrave në vendin ku përfaqësuesja angleze e meshkujve mundi Gjermaninë Perëndimore për të fituar titullin e vetëm të madh deri më tani, Kupën e Botës në vitin 1966. Gjermania i ka fituar të tetë finalet evropiane që ka luajtur – dhe ka mposhtur Anglinë 6:2 në finalen e vitit 2009 – por vrulli i saj dukej se ishte ngadalësuar vitet e fundit pasi vendet e tjera investuan shumë në ligat e femrave. Anglia ka shënuar 20 gola në këtë turne për të arritur deri në finale, më shumë se gjysmën i realizoi në dy fitore të stuhishme ndaj ish-kampionëve të Evropës, 8:0 kundër Norvegjisë në fazën e grupeve dhe 4:0 kundër Suedisë në gjysmëfinale. Mposhtja e Gjermanisë që ka tetë tituj kampioni, do të ishte mënyra e përsosur për Anglinë për të shkruar historinë. Anglia tashmë ka treguar se Gjermania mund të mposhtet. E mundi 3:1 në Wolverhampton për fitoren e saj të parë në histori kundër Gjermanisë në Britani. Tifozët e Gjermanisë janë mësuar që skuadra e tyre të fitojë tituj, edhe nëse nuk është pushtuese si dikur. Qëkur Gjermania fitoi medaljen e artë olimpike në vitin 2016, “Euro 2022” shënon herën e parë që kalon çerekfinalet e një turneu.
Sulmueset Alexandra Popp dhe Alessia Russo kanë dhënë kontribute shumë të ndryshme për ekipet e tyre. Kapitenia Popp ka shënuar në secilën nga pesë ndeshjet e Gjermanisë - një rekord i ri - dhe ka filluar të gjitha, përveç ndeshjes hapëse kundër Danimarkës. Russo nuk ka nisur asnjë ndeshje nga fillimi, por është zëvendësuesja më me ndikim tek Anglia. Pasi humbi Kampionatin Evropian të vitit 2013 dhe 2017 me lëndime, Popp po kompenson kohën e humbur dhe po shkëlqen në këtë turne. Ndikimi shpërthyes i Russos nga stoli ka qenë vendimtar. Sulmuesja e Manchester Unitedit ka shënuar katër gola si zëvendësuese në “Euro 2022”.
“Unë mendoj se kur je duke shijuar futbollin tënd, luan më së miri dhe këtë po e bëj”, tha Russo.
Përzgjedhësja Sarina Wiegman e Anglisë dhe Voss-Tecklenburg e Gjermanisë kanë siguruar tashmë një vend në histori si lojtare dhe trajnere. Voss-Tecklenburg ka qenë një forcë lëvizëse në futbollin gjerman për dekada - 125 ndeshje të luajtura për Gjermaninë dhe katër tituj evropianë.
Edhe
Rekord i audiencës në Evropianin e femrave në Angli
“30 minutat e parë kundër Suedisë treguan se mund ta lëndojmë Anglinë dhe kjo është detyra jonë në finale”, tha ajo.
Wiegman luajti 99 herë për Holandën dhe drejtoi holandezet për titullin evropian në vitin 2017, përpara se t'i bashkohej Anglisë dhe është ende e pamposhtur në 11 ndeshje si trajnere në kampionate.
“Ne thamë përpara turneut dhe vazhdojmë ta themi çdo herë që duam ta frymëzojmë kombin”, tha Wiegman. “Unë mendoj se kjo është ajo që ne po bëjmë dhe ne duam të bëjmë një ndryshim dhe shpresojmë ta fitojmë titullin për të frymëzuar që edhe më shumë vajza dhe djem të fillojnë të luajnë futboll”.