Ndeshje për titull evropian do të luhet të dielën te futbollistet mes Anglisë që synon ta mbrojë trofeun e fituar në edicionin e kaluar, dhe Spanjës, që është fituese e Kupës së Botës në fuqi.
Anglia dhe Spanja ballafaqohen në finalen e “Euro 2025” të dielën nga ora 18:00 në Basel.
Spanja i kaloi thuajse gjithë pesë kundërshtarët pa telashe, përjashtuar ndeshjen e fundit, gjysmëfinalen me Gjermaninë. Anglia nga ana tjetër në shumicën e kohës ka qenë në disavantazh në tri ndeshje, ndërsa ishte në prag të eliminimit në të dyja ballafaqimet e fazës nokaut.
Spanja është skuadër me teknikë të lartë, me mesfushë ëndërrimtare me dy herë fitueset e “Topit të Artë”, Alexia Putellas dhe Aitana Bonmati. Anglia e ka dëshirën e jashtëzakonshme për të fituar dhe i ka quajtur dramatike zëvendësueset që ndryshuan ndeshjet, Michelle Agyemang dhe Chloe Kelly.
“Ne gjithmonë e kemi besimin në aspektin e pozicionimit dhe posedimit të topit. Synojmë të jemi të sakta dhe është e vështirë ta humbim topin”, ka thënë Putellas, shkruan “Associated Press” të shtunën. “Kështu që ne jemi gati për çdo gjë”.
Duket si një finale ideale e stileve të ndryshme. Kjo finale u bë e mundur pasi Anglia u mposht 2:1 nga Franca në ndeshjen hapëse, dhe mbeti në krahun e kundërt të shortit për në fazën nokaut.
Katër kundër 219-të. Ky është numri i minutave që Spanja ishte në disavantazh në “Euro 2025”, në krahasim me Anglinë.
Spanja ishte duke humbur mes minutave 10 deri në të 14-tën, në ndeshjen e fazës grupore kundër Italisë. Disa prej lojtareve titullare u pushuan sepse skuadra ishte në prag të përfundimit në vendin e parë.
Anglia pranoi dy gola në pjesën e parë ndaj Francës në grupe, pastaj ishte me dy gola disavantazh ndaj Suedisë në çerekfinale, dhe në pjesën e parë të gjysmëfinales ndaj Italisë ishte duke humbur 1:0. Golat e barazimeve të Anglisë në ndeshjet e fazës nokaut u shënuan nga zëvendësuesja Agyemang, një në minutën e 81-të e një tjetër në minutën e gjashtë të kohës shtesë.
“Mendoj se i kemi shkaktuar vdekjen dy herë në këtë turne!”, ka thënë Ella Toone e Anglisë për selektoren e kësaj përfaqësueseje, Sarina Wiegman. “Ajo thotë se padyshim që e kemi plakur”.
Mesfushorja e Spanjës, Patri Guijarro, ka folur për Anglinë po ashtu.
“Anglia nuk thyhet. Dhe mendoj se mbi të gjitha, mosdorëzimi i ka sjellë ato deri në këtë pikë. Por, ajo që ato bëjnë nuk është e lehtë”.
Spanja dhe Anglia e kanë mposhtur njëra-tjetrën kur i kanë fituar titujt e fundit, ndërsa kanë nga një fitore edhe në fazën grupore të Ligës së Kombeve këtë vit.
Anglia e eliminoi Spanjën 2:1 pas vazhdimeve në çerekfinale të Evropianit 2022 që u organizua në Angli. Deri në minutën e 84-të ishte duke humbur, para se Alessia Russo dhe Toone – asistuan dhe shënuan për ta shtyrë ndeshjen në vazhdime.
Spanja fitoi me meritë 1:0 në Kupën e Botës 2023, në finalen e luajtur në Sydney të Australisë.
Spanja tani është në ecuri prej 13 fitoreve në 14 ndeshje, ndërsa humbjen e fundit nga Anglia e pësoi në “Wembley” në muajin shkurt, 1:0. Në ndeshjen kthyese, Spanja fitoi 2:1 më 3 qershor, falë dy golave të Claudia Pinas në pjesën e dytë.
Do të jetë edicioni i tetë rresht që një selektore e fiton Kampionatin Evropian.
Ëiegman e Anglisë dhe Montse Tome e Spanjës, ishin vetëm dy prej shtatë selektoreve nga 16 ekipet përfaqësuese sa ishin në “Euro 2025”.
Ato do ta vazhdojnë suksesin e selektoreve, që ka nisur prej vitit 1997.
Ëiegman i ka fituar dy edicionet e fundit të Evropianit, me Anglinë në vitin 2022 dhe Holandën në vitin 2017. Selektoret e Gjermanisë, Silvia Neid dhe Tina Theune, i fituan pesë edicionet e tjera. Spanja asnjëherë nuk ka arritur në finale në 13 edicione të Kampionatit Evropian, prej vitit 1984.
Finalja e parë para 41 vjetësh është e vetmja që është vendosur në penallti.
Suedia e mposhti Anglinë në stadiumin thuajse të zbrazur e me mot me shi, pasi të dyja finalet kishin përfunduar 1:1. Pia Sundhage e shënoi penalltinë vendimtare. Ajo e udhëhoqi Zvicrën deri në çerekfinale të këtij edicioni, e më pas u mposht 2:0 nga Spanja.
Anglia në penallti e kishte eliminuar Suedinë në javën e kaluar në çerekfinale.
Spanja është përfshirë në vetëm një ndeshje me penallti në Kampionate Evropiane. Ishte mposhtur nga Austria në çerekfinale të vitit 2017.