Futboll

Spanja kërkon trofeun e parë, Anglia mbrojtjen e titullit

spanja anglia

Spanja dhe Anglia do të luajnë të dielën në mbrëmje për trofeun e Kampionatit Evropian. 

Spanja është kampione e botës në fuqi dhe është në kërkim të një tjetër trofeu, ndërsa Anglia synon revanshin. 

“Futbolli ka të bëj me të tashmen, dhe ajo që kemi fituar në të kaluarën, nuk ka rëndësi të madhe”, ka thënë Olga Carmona mbrojtësja spanjolle që aktivizohet te Paris Saint-Germaini, shkruan “Sky Sport” i Austrisë të premten. 

Dy vjet më parë, 25-vjeçarja, e kishte shënuar golin e vetëm në finalen e Botërorit për futbolliste ndaj Anglisë, në fitoren 1:0. 

Por, tani anglezet kërkojnë revanshin për atë finale. 

“Kemi shpresë, besojmë dhe e kemi kualitetin”, ka theksuar sulmuesja e Anglisë, Chloe Kelly. 

Anglia është fituese në fuqi e Kampionatit Evropian. E kishte mposhtur 2:1 Gjermaninë në vazhdime. 

Spanja arriti në finale të Evropianit për herë të parë në histori, ndërsa për herë të parë e kishte mposhtur Gjermaninë për të arritur në finale të skenës së madhe kontinentale. 

Finalja Anglia – Spanja luhet të dielën nga ora 18:00 në “St. Jakob-Park” të Baselit.