Futboll

Më i madh, më i mirë, më i popullarizuar – Evropiani i futbollisteve 2025 vendos rekorde

Më i madh, më i mirë, më i popullarizuar – Evropiani i futbollisteve 2025 vendos rekorde

Foto: Associated Press

Afro një mijë tifozë ishin të pranishëm kur Anglia i luajti ndeshjet e para të turneut inaugurues të Kampionatit Evropian të futbollisteve në vitin 1984.

Gjërat tani kanë ndryshuar.

Më shumë se gjysmë milioni bileta janë shitur për 31 ndeshjet e turneut të këtij viti, që do të organizohet në Zvicër nga java e ardhshme.

Organizatorët presin që ta thyejnë rekordin e 575 mijë të pranishmëve nga Evropiani i vitit 2022 në Angli, ku vetëm në finalen e zhvilluar në “Wembley” ishin 87 mijë tifozë.

Investimi i madh

Popullariteti i futbollit për futbolliste në Evropë – dhe përreth botës – ka pasur rritje me hapa të mëdhenj në vitet e fundit. Lojtaret po bëhen më të forta, më të shpejta dhe më me aftësi teknike, duke e bërë lojën edhe më interesante për ta parë.

Edhe pse të ardhurat në krahasim me futbollistët janë ende larg, në lojën e futbollisteve po investohet shumë, si në nivel të përfaqësueseve, ashtu edhe nga vetë klubet. Lojtaret që i kanë nisur karrierat para një dekade, kanë thënë se ritmi i ndryshimeve është mahnitës.

“Nëse e shikoni një ndeshje para pesë vjetësh, nuk ka të bëjë asgjë me atë që luhet tani”, ka thënë dy herë fituesja e “Topit të Artë”, futbollistja e Barcelonës, Alexia Putellas, e cila debutoi në ekipin senior në vitin 2010.

Mesfushorja 31-vjeçare e Spanjës ka thënë se gjenerata e saj dhe ato më të vjetra asnjëherë nuk e kanë menduar se do të mund t’ia arrijnë të jetojnë nga futbolli kur të rriten.

“Natyrisht se kjo po bëhet që sporti ynë të jetë më i dukshëm, kështu që vajzat ta jetojnë ëndrrën e të qenit futbolliste”, ka thënë ajo. “Mendoj se në vitet e fundit ka pasur evolucion shumë të mirë. Në fund, ne kemi nevojë që njerëzit të investojnë, të na ndihmojnë të përmirësohemi dhe mendoj se ndryshimi po ndodh”.

Lidhja e klubeve

Organet drejtuese kanë marrë iniciativa për ta çuar lojën para. UEFA për shembull e ka strategjinë “E pandalshme”, që ka për synim ta bëjë futbollin si sportin më të popullarizuar te gratë dhe vajzat në secilin shtet evropian deri në vitin 2030, duke e ngritur numrin e ligave profesionale në kontinent.

Ndryshim i madh ka ndodhur në nivel klubesh, ku ekipe të njohura si Barcelona, Real Madridi dhe Chelsea e kanë marrë seriozisht futbollin e futbollisteve. 

Më shumë liga evropiane në Evropë janë kthyer në profesionale në dekadën e fundit, duke inspiruar gjeneratat e reja të futbollisteve.

“Në dekadën e fundit një progres i vërtetë ka ndodhur, sidomos te klubet. E sheh profesionalizmin e vërtetë”, ka thënë presidentja e Federatës së Futbollit të Norvegjisë, Lise Klaveness, për “AP”. “Është shumë e rëndësishme ta kemi piramidën e plotë, në mënyrë që vajzat ta shohin këtë si punë”.

Ajo ka thënë se futbolli është ADN-ja e vërtetë e lidhjes me klubet lokale.

“Në të vërtetë nuk e kemi pasur këtë me vajzat. Tani mund ta shihni më shumë e më shumë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se shumë liderë te futbollistët shfaqin ambiciet e vërteta për t’i rritur ekipet e futbollisteve.

“Nëse e takoni presidentin e Arsenalit apo Joan Laportan e Barcelonës, ai ndihet shumë i afërt me ekipin e futbollisteve. Kur ekipi i futbollisteve luan, ai është aty”, ka thënë Klaveness.

Zgjerimi i garave ndërkombëtare

Përderisa është rritur numri i ekipeve – siç është rritur liga elitare e futbollisteve të Anglisë – ashtu janë rritur edhe garat ndërkombëtare.

Në “Euro 1984” kanë qenë vetëm katër përfaqësuese në turneun inaugurues: Anglia, Italia, Suedia dhe Danimarka.

Zgjerimi i turneut nuk u bë deri në vitin 1997 kur morën pjesë tetë ekipe, 12 u bënë në vitin 2009 dhe në formatin aktual janë 16 përfaqësuese prej edicionit 2017.

Në “Euro 2009” kishte mesatare prej 5 mijë tifozëve të pranishëm në ndeshjet në Angli. Në të njëjtin shtet në vitin 2022, mesatarja është 18 mijë e 544 tifozë.

Përveçqë është rritur numri i të pranishmëve, shikueshmëria është rritur edhe në televizione.

“Euro 2022” pati 365 milionë shikues në TV. Ka qenë më shumë se dyfishi i shikuesve në krahasim me edicionin 2017 (178 milionë) dhe 214 për qind më shumë shikues në kohë reale sesa në vitin 2023 (116 milionë).

Rritja e të pranishmëve është evidente edhe në ndeshjet e futbollisteve pasi kanë nisur të luajnë në stadiume me kapacitete më të mëdha dhe klubet kanë filluar investimin më shumë në ekipet e futbollisteve.

Disa ndeshje të Barcelonës në Champions në vitin 2022 kanë pasur prani të 90 mijë shikuesve.

Ndryshimi i madh që ka ndodhur në vitet e fundit është se investitorët po e shikojnë mundësinë të fitojnë më shumë para nëpërmjet futbollit të futbollisteve, ka thënë trajnerja e Seattle Reign, Laura Harvey, që ka qenë trajnere tek Arsenali dhe Birmingham City në Angli, para se të kalonte në SHBA.

“Për ata që jemi për kohë të gjatë në këtë sport – unë isha trajnere te Birmingham City në vitin 2006 – dhe të mendosh se loja ka ndryshuar në 19 vjet apo sa janë bërë tani, është çmenduri”, ka thënë ajo për “AP”. “Jam krenare që mund të jem pjesë e ndryshimit”.

Efekti edhe te sponsorët

Rritja e vazhdueshme e popullaritetit të futbollit të futbollisteve ka pasur efekt edhe te sponsorët, më shumë para në gara dhe më shumë para për investim te futbolli i të rinjve dhe klubeve. 

Në vitin 2017, UEFA e bëri lëvizjen që u vlerësua e guximshme: ndarjen e të drejtave të sponsorizimit për garat e futbollisteve dhe shitjen e të drejtave komerciale ndaras nga garat e futbollistëve.

Kjo është bërë me qëllimin për “t’i rritur garat e futbollit të futbollisteve” dhe u konsiderua e suksesshme.

Kaq shumë e suksesshme ishte saqë FIFA e përcolli lëvizjen, njësoj siç bënë edhe organizatat e tjera.

UEFA tani ka 11 partnerë, përfshirë Visan, Amazonin dhe Adidasin.

Tani janë më shumë se 20 sponsorë për “Euro 2025” dhe të ardhurat janë projektuar me rritje prej 145 për qind në krahasim me vitin 2022, sipas UEFA-s.

“Ndikimi i Evropianit të futbollisteve 2025 shkon përtej vetë garës”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, në raportin e muajit të kaluar. “Me rekordin e parave për turne dhe me interesimin e paparë të sponsorëve, turneu do të sjellë më shumë investime në futbollin e futbollisteve sesa kurrë më parë”.

Çmimi i përgjithshëm në “Euro 2025” është 41 milionë euro, më shumë se dyfishi i 16 milionë eurove të pranuara nga përfaqësueset në vitin 2022.

Për më shumë, futbollistet do të pranojnë një pjesë të parave nga përfaqësueset e tyre për herë të parë.

Evropiani 2024 i futbollistëve e kishte çmimin e përgjithshëm prej 331 milionë eurove, ndërsa secila prej 24 përfaqësueseve pranoi minimumin e 9.25 milionë eurove, kurse Spanja si fituese përfitoi 28.25 milionë euro.

UEFA synon që “Euro 2025” të veprojë si katalizator për avancimin profesional të futbollisteve në Zvicër dhe në të gjithë Evropën.

Megjithatë, Klaveness e ka një paralajmërim: që ligat më të pasura nuk duhet të ndahen krejtësisht nga ligat gjysmëprofesioniste.

“Tani mendoj se hapi i radhës i rëndësishëm për të shkuar edhe më tutje para është që koka të mos ndahet nga trupi, dhe më pas do ta bënin të njëjtën gjë që bëjnë ekipet e futbollistëve”, ka thënë ajo.