KB Vëllaznimi ka forcuar radhët e veta me fundorin amerikan, Myreon Jones. Klubi gjakovar të mërkurën e ka prezantuar Jonesin, i cili është i gjatë 190 centimetra dhe do të jetë pjesë e Vëllaznimit për këtë edicion. 23-vjeçari te Vëllaznimi vjen nga kolegji “Penn State”, ku ka luajtur me një mesatare prej 15 pikëve, 3 kërcimeve dhe 2 asistimeve për ndeshje.
Jones pritet të debutojë këtë vikend, në ndeshjen që Vëllaznimi e luan në Mitrovicë kundër skuadrës së Trepçës.
Aktualisht, Vëllaznimi është ekipi i vetëm këtë edicion në Superligë që ende nuk ka shënuar fitore. Në tri ndeshje të luajtura, ka regjistruar po aq humbje.