Boksieri meksikan Saul “Canelo” Alvarez ka triumfuar në përballjen me britanikun Billy Joe Saunders, duke bashkuar kështu tre nga katër titujt e mëdhenj të botës në peshën super të mesme në boksin profesionist.
Saunders u dorëzua pas tetë raundeve. Në raundin e tetë Alvarez ishte dominues dhe i dha një goditje të fuqishme ne aperkat Saundersit, ndërsa ia dëmtoi edhe syrin e djathtë.
Trajneri i Saundersit nuk e lejoi britanikun të dilte të boksonte në raundin e nëntë, pasi Saunders nuk po mund të shihte.
“Mendoj se ia theva mollëzën. E dija këtë. Shkova në kënd dhe i thash trajnerit tim, ‘Ia theva’”, tha Alvarez 30-vjeçar pas meçit.
Meçi u zhvillua në Teksas në prani të 73.126 shikuesve.
Saunders 31-vjeçar u dërgua në spital pas meçit.
Edhe
Alvarez mposht Charlon, mbetet kampion i padiskutueshëm në peshën super të mesme
Alvarez tash është pronar i titujve WBA, WBC dhe WBO në peshën super të mesme, dhe ai ka shprehur dëshirën që të përballet me amerikanin Caleb Plant, që e ka në pronë titullin tjetër të madh në këtë peshë, atë IBF.
Në rast se ia merr titullin edhe Plantit, atëherë Alvarez do të bëhet meksikani i parë që ka unifikuar katër titujt në peshën super të mesme.
Për Alvarezin ishte fitorja e 56-të në boksin profesionist, karshi një humbje e dy barazimeve. Saunders ndërkohë ka pësuar humbjen e parë pas 30 fitoreve.