Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Boks, Bivoli e shokon superyllin Canelo Alvarez

Dmitry Bivol

Boksieri rus Dmitry Bivol e ka shokuar botën duke e mposhtur superyllin, meksikanin Saul “Canelo” Alvarez në përballjen për titullin e botës në versionin WBA në kategorinë gjysmë të rëndë.

Alvarez 31-vjeçar, kampion i padiskutueshëm në kategorinë super të mesme, u ngjit një kategori për të sfiduar Bivolin. Por, ai u mposht për herë të dytë në karrierë si profesionist.

Bivol ngadhënjeu me vendim unanim të gjyqtarëve pas 12 raundeve dhe mbrojti titullin. Tre gjyqtarët e vlerësuan luftën 115:113 në favor të boksierit rus. Alvarezi ka pësuar humbjen e parë pas nëntë vjetëve. Ai ka fituar tituj bote në pesë kategori të ndryshme në boks profesionist.

“Jam i lumtur që e kam dëshmuar veten, që kam dëshmuar se jam më i miri në këtë kategori. Ai është kampion i madh, e respektoj atë dhe skuadrën e tij”, ka thënë Bivol që i ka fituar të 20-të meçet në boksin profesionist.

Alvarez humbjen e fundit e kishte pësuar nëntë vjet më parë nga Floyd Mayweather Jr. Ai tash ka bilanc prej 57 fitoreve (39 KO), dy humbjeve e dy barazimeve.

“Duhet të pranosh, kështu është boksi. Ai është kampion i madh. Nganjëherë fiton dhe nganjëherë humb dhe nuk dua të nxjerri arsyetime. Unë humba dhe ai fitoi”, tha Alvarez.

Edhe Boks, Bivol kampion i padiskutueshëm në kategorinë gjysmë të rëndë Luftarake Boks, Bivol kampion i padiskutueshëm në kategorinë gjysmë të rëndë

Si Alvarez ashtu edhe Bivol janë pajtuar për një revansh.