Christian Pulishiq iu bashkua Milanit gjatë verës për ta ringjallur karrierën. Reprezentuesi i SHBA-së jo vetëm që ka arritur një gjë të tillë, por po bën shumë më tepër.
Pulishiq nuk ka pasur kurrë start më të mirë në ndonjë klub sesa te Milani, përfshirë këtu edhe kur pati debutuar me ekipin e parë të Borussia Dortmundit dhe konsiderohej një talent i madh futbolli. Atëbotë kishte shënuar dy gola dhe kishte pesë asistime në pesë ndeshjet e para, por pastaj Pulishiq nuk arriti të realizonte për muaj të tërë.
25-vjeçari e ka nisur karrierën në Itali me pesë gola dhe dy asistime në 12 ndeshjet e para në Serie A me fanellën e Milanit, duke barazuar numrin e golave me Weston McKennien – amerikanin tjetër te Juventusi – që në total kishte shënuar po aq gola përgjatë edicionit 2020/21. Asnjë reprezentues i SHBA-së nuk ka shënuar më shumë gola në kampionatin e Italisë brenda një edicioni sesa Pulishiq, ndonëse ish-reprezentuesi i Italisë, Giuseppe Rossi, kishte 16 gola në ligë për Fiorentinën në edicionin 2013/14. Rossi ka lindur në SHBA, por ka luajtur për Italinë.
Goli i fundit i Pulishiqit, i dyti i Milanit në fitoren 3:1 ndaj Frosinones të shtunën mbrëma, ishte i jashtëzakonshëm. Ai pranoi një pasim të gjatë nga portieri Mike Maignan dhe me t’u futur në zonë e dërgoi topin në rrjetë me goditje me këmbën e djathtë.
“Ne stërvitemi shumë me Maignanin për një aksion të tillë, i cili u realizua me sukses në ndeshjen e fundit”, pranoi Pulishiq. “Unë e di se Mike është në gjendje të bëjë pasime të tilla dhe këtë e konfirmoj ndaj Frosinones. Ishte pasim i jashtëzakonshëm, i cili më erdhi direkt në këmbën e djathtë dhe krejt çka më mbeti mua ishte ta kompletoja me gol”.
Milani, i cili zë vendin e tretë në Serie A, ka dalë fitues në secilën prej pesë ndeshjeve kampionale ku Pulishiq ka shënuar gol.
Edicioni 2019/20 mbetet më i suksesshmi në karrierën e Pulishiqit deri më tani, pasi ai shënoi nëntë gola në 25 ndeshje për skuadrën e Chelseat. Një vit më vonë ai e fitoi Ligën e Kampionëve duke u bërë amerikani i parë që luajti në finale të kësaj gare. Por, më pas lëndimet e shpeshta limituan minutazhën e mesfushorit ofenziv te skuadra nga Londra.
Në edicionin e fundit te Chelsea, Pulishiq shënoi vetëm një gol dhe bëri dy paraqitje pas datës 5 janar të këtij viti, përpara se t’i bashkohej Milanit në afatin kalimtar të verës.
“Këtu po ndihem i lumtur pasi po mendoj se gradualisht po rikthehem në formën time më të mirë. Shpresoj që deri në fund të edicionit ta dyfishoj numrin e golave, por edhe ta ndihmoj ekipin të arrijë synimet”, tha Pulishiq.
Milani duket se ka ringjallur mesfushorin me tipare sulmuese dhe kjo po reflekton edhe me paraqitjet e tij te Përfaqësuesja e SHBA-së. Në katër ndeshjet e fundit me SHBA-në, Pulishiq ka shënuar tri gola dhe kjo ka ndodhur prejse iu ka bashkuar skuadrës së Milanit. Vazhdimësia e formës së mirë të Pulishiqit do të jetë thelbësore përpara Kupës së Amerikës të vitit të ardhshëm që do të mbahet në SHBA. Po ashtu, në vitin 2026, SHBA-ja së bashku me Kanadanë dhe Meksikën do ta organizojnë Kampionatin Botëror. / AP