Sport

Pulishiq shkëlqen në debutimin e tij në Serie A

Christian Pulishiq - AC Milan - Christian Pulisic

Reprezentuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christian Pulishiq, e filloi karrierën e tij te skuadra e Milanit në një stil mbresëlënës, duke shënuar një gol dhe duke asistuar në një tjetër teksa Bologna u mposht të hënën mbrëma 2:0 në kuadër të xhiros së parë në Serie A.

Pulishiq, i cili iu bashkua Milanit muajin e kaluar, asistoi në golin e sulmuesit Olivier Giroud dhe ish-bashkëlojtari i tij te Chelsea ia ktheu favorin në minutën e 21-të. Për Pulishiqin ky është një start përrallor në kampionatin italian.

“Ishte një fillim fantastik, me siguri”, tha Pulishiq. “Jam shumë i emocionuar që jam pjesë e këtij ekipi. Dy golat e hershëm na ndihmuan vërtet, sepse ishte një lojë e vështirë pas golave të shënuar. Dhe, për mua një fillim i mrekullueshëm personalisht gjithashtu, pasi shënova dhe asistova në ndeshjen time të parë zyrtare”.

Pulishiq është njëri nga disa fytyrat e reja të kuqezinjve këtë edicion. Milani ishte klubi më aktiv në këtë afat kalimtar, duke transferuar gjashtë lojtarë të rinj në “San Siro”. Pulishiq pranoi se prania e ish-shokëve të skuadrës luajti një rol në vendimin e tij për t'iu bashkuar klubit të famshëm italian.

“Fola me ta në fillim dhe pastaj iu bashkova Milanit. Me Olivierin kemi pasur disa përvoja të mira së bashku, kam luajtur edhe me Fikayon e Rubenin te Chelsea. Kështu që, lidhja është aty dhe kjo u vërejt edhe në ndeshjen e parë”, shtoi Pulishiq. “Ishte e mrekullueshme që mora përsëri asistimin nga Olivieri sikurse në kohët kur ishim te Chelsea. Thjesht, ndiej se Milani është hapi i përsosur në karrierën time dhe ndihem vërtet shumë i mirëpritur”.

Shoku i Pulishiqit te Përfaqësuesja e SHBA-së, Yunus Musah, që iu bashkua Milanit nga Valencia, ishte i pezulluar për ndeshjen e parë të edicionit. Por blerjet e tjera të reja, Ruben Loftus-Cheek dhe Tijjani Reijnders debutuan dhe treguan paraqitje të mira. Madje, Reijnders pati dorë në golin e epërsisë që u shënua në minutën e 11-të. Megjithatë, momenti i Pulishiqit ishte dhjetë minuta më vonë, kur pas bashkëveprimit me Giroudin gjuajti nga distanca për ta vulosur rezultatin e ndeshjes. E bashkëveprime të tilla ndërmjet këtyre dy futbollistëve pritet të ketë edhe në ndeshjet e tjera, ka paralajmëruar sulmuesi i Francës, Giroud.

“Ne jemi shumë të lumtur me paraqitjen tonë në ndeshjen e parë dhe jam i lumtur për debutimin përrallor të Christianit. E njoh shumë mirë pasi kemi luajtur së bashku te Chelsea dhe kishim një marrëdhënie të mirë në fushë”, pranoi Giroud.

Pulishiq 24-vjeçar është zhvendosur në Evropë në vitin 2015 kur iu bashkua ekipit U17 të Borussia Dortmundit. Në vitin e ardhshëm, Pulishiq debutoi me ekipin e parë të Dortmundit kur luajti për tri edicione, përpara se t’i bashkohej Chelseat. Ai ka fituar katër trofe me këto dy skuadra, përfshirë edhe atë të Ligës së Kampionëve me Chelsean në edicionin 2020/21. Me skuadrën e Milanit, Pulishiq ka kontratë deri në vitin 2027, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.