Sport

Ronaldo ka humbur vendin te Portugalia magjike

Cristiano Ronaldo fillimisht e gjeti veten të padashur dhe të padëshiruar nga Manchester Unitedi. Tani ka ndodhur gjëja më e paimagjinueshme - ai është hedhur poshtë edhe nga Portugalia. Sulmuesi 37-vjeçar ishte kryesisht një spektator pasi skuadra që ai ka qenë kapiten për kaq gjatë shkëlqeu ndaj Zvicrës, të cilën e mposhti 6:1 në 1/8 e finales të Kupës së Botës.

Sulmuesi i ri, Gonçalo Ramos, i futur në vend të Ronaldos, shënoi “hat-trick” dhe të paktën konkurroi me shokun e tij të shquar të skuadrës për titujt kryesorë. Ronaldo erdhi në Kupën e Botës duke kërkuar pushim pas periudhës së tij të trazuar në “Old Trafford” këtë sezon, ku ai ishte bërë një figurë periferike nën trajnerin e ri Erik ten Hag. Këto zhgënjime vluan gjatë muajit të kaluar në një intervistë shpërthyese televizive në të cilën ai sulmoi klubin dhe trajnerin, duke çuar në një ndarje të pashmangshme të rrugëve.

37-vjeçari zbarkoi në Katar me gjërat e zakonshme, sërish në qendër të vëmendjes së mediave botërore. Gjërat madje shkuan si duhet në ndeshjen e parë të Portugalisë, kur ai shënoi golin e parë nga penalltia në një fitore 3-2 kundër Ganës, duke u bërë njeriu i parë që shënon gola në pesë Kupat e Botës.

Por gjërat shkuan keq për Ronaldon që andej.

Ai u mundua gjatë ndeshjeve kundër Uruguait dhe Koresë së Jugut, por nuk arriti të gjente rrjetën dhe Portugalia kishte nevojë për gola. Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, i cili organizoi triumfin e skuadrës në “Euro 2016”, më në fund mori vendimin për të lënë jashtë yllin e tij kundër Zvicrës dhe u shfajësua në mënyrë spektakolare.

Portugalia e ndryshoi stilin, me Ramosin e Benficas, 21-vjeç, që shënoi tri herë në një paraqitje fantastike. Me ndeshjen e fituar prej kohësh, brohoritjet e tifozëve “Ronaldo, Ronaldo, Ronaldo” jehonin nëpër stadiumin “Lusail” në Doha dhe ai u brohorit teksa po ngrohej në fushë. Santos i dha turmës atë që donte kur kishin mbetur edhe 15 minuta deri në fund të ndeshjes. Ronaldo gjuajti një goditje dënimi në mur disa momente pasi hyri në fushë dhe minuta më vonë e futi topin në rrjetë, por ishte në pozicion jashtë loje. Madje, atij iu desh t'i jepte vëmendjen zëvendësuesit tjetër Rafael Leaos, i cili shënoi një gol mahnitës në kohën shtesë për të kompletuar fitoren - një tjetër vështrim i pasurisë së lakmueshme që Santos kishte në dispozicion. Trajneri, i cili ka qenë në krye të Portugalisë që nga viti 2014, këmbënguli se kishte besim të plotë në të gjithë sulmuesit e tij pas fitores, e cila vendos në çerekfinale kundër Marokut.

“Andre Silva është një lojtar i madh që luan më tej përpara, Cristiano është më i fiksuar – ai qëndron në një zonë më të vendosur drejt zonës së kuadratit”, tha ai. “Goncçlo Ramos ka karakteristika të ndryshme. Ai është shumë dinamik dhe kjo është ajo që ai e dëshmoi në këtë turne të madh. Nuk është asgjë e re, ai tashmë hyri në dy ndeshje, por Andre gjithashtu luajti në ndeshjen e fundit. Kam tre lojtarë të cilëve u besoj plotësisht. Për çdo ndeshje do të përdor lojtarin që shoh më të mirin për strategjinë time”.

Santos madje sugjeroi se pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Ronaldo mund të jetë ende titullar në Katar.

Por, me gjithë fjalët qetësuese të trajnerit të tij, Ronaldo - i cili ka një rekord prej 118 golash - me siguri do të lihet përsëri jashtë formacionit për çerekfinalen e së shtunës. Ai gjithashtu do të jetë i vetëdijshëm se është pa klub, pasi thashethemet qarkullojnë për një lëvizje fitimprurëse në skuadrën saudite Al-Nassr. Megjithatë, Ronaldo i mohoi të gjitha pas ndeshjes me Zvicrën. Nëse, siç pritej, ai është në bankën e rezervistëve për ndeshjen ndaj Marokut, atëherë Ronaldo do të ketë mjaft kohë për të menduar për situatën e tij dhe për të kujtuar se dikur ishte e ardhmja. Bruno Fernandes ishte i vetmi anëtar i Portugalisë që tregoi se Ronaldo nuk ishte i kënaqur me qëndrimin në stol. Fernandes dukej i përgatitur për polemikat rreth Ronaldos dhe qëndroi për t’iu përgjigjur atyre.

“Ne i fituam dy ndeshjet e para me Cristiano në 11-shen e parë dhe mund të ndodhte që nëse Cristiano luante, ai mund të shënonte tre gola dhe askush nuk do të fliste për Cristianon në stol”, tha Fernandes. “Cristiano po bën punën e tij, ai po bën pjesën e tij, ai është i kënaqur me rezultatin sepse qëllimi për të gjithë është që të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur. Unë nuk mendoj se njerëzit duhet të flasin për Cristiano dhe pse ai nuk luan, sepse kur Cristiano luan dhe skuadra fiton, askush nuk flet për këtë. Kur Cristiano luan dhe skuadra humb, të gjithë flasin”.

Fernandes e quajti Ronaldon “lojtarin më të famshëm në botë. Askush nuk është më i famshëm se Cristiano në sport, jo në futboll, në sport”.

Por kur Fernandes u pyet për reagimin e Ramosit që startoi për herë titullar dhe shënoi tri gola, ai sërish i doli në mbrojtje Ronaldos.

“A mendoni se dikujt i pëlqen të jetë në pankinë?”, pyeti Fernandes. “Unë nuk mendoj se Cristiano ishte i lumtur. Nëse trajneri do të më vendoste në stol në ndeshjen tjetër, do të zemërohesha”.