Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Me Britaninë na lidh historia e çlirimit dhe e ardhmja euroatlantike

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me Mbretërinë e Bashkuar Kosovën e lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja euroatlantike.

Deklaratën e ka dhënë gjatë një takimi me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce në margjinat e javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.

Kurti ka bërë të ditur në Facebook se me Piercen kanë folur për zhvillimet politike dhe të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë-Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Ai ka thënë se te Pierce e ka shprehur edhe shqetësimin për dënimin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale.

“E falënderova për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vlerësova mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi. Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për BE dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje ishin po ashtu pjesë e diskutimit të sotëm me znj. Pierce”, ka shkruar Kurti në Facebook.