Sport

Ylli i fortë për Vëllaznimin, kalon në gjyëmfinale të Superkupës

Kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli është gjysmëfinalisti i parë i turneut të Superkupës së Kosovës që po mbahet në Prishtinë. Në ndeshjen e parë çerekfinale që u luajt të mërkurën, Ylli ishte bindshëm më i mirë se Vëllaznimi, të cilin e mposhti me rezultatin e thellë 94:75.

Në gjysmëfinale, Ylli do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Sigal Prishtinës dhe Ponte Prizrenit, që zhvillohet sonte prej orës 20:00. Basketbollistët e Yllit ishin gjatë tërë kohës në epërsi ndaj Vëllaznimit, ekip që nuk ishte mjaft i fortë për ta përballuar skuadrën nga Suhareka.

Ylli i fitoi katër çerekët në këtë ndeshje, të cilën e mbylli me një epërsi prej 19 pikëve. Më i dalluari te Ylli në këtë triumf ishte Henrik Shirko, i cili ndeshjen e përfundoi me 25 pikë, 8 kërcime e 7 asistime. Ndërsa, Chris Harris shtoi 24 pikë e tetë kërcime për ta ndihmuar ekipin të avancojë në gjysmëfinale.

Te Vëllaznimi, pesë basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, por kjo nuk mjaftoi për ta evituar eliminimin përball Yllit. Emanuel Omogbo me 18 pikë të shënuara ishte më efikasi, i përcjellë nga Jordan Harris me 14 sosh. Ndërkohë, Burim Zekiqi, Damonte Dodd dhe Don Polloshka realizuan nga 12 pikë secili.