Sport

Tetë raunde në fazën e parë të zgjeruar të Championsit prej vitit 2024

Një fazë e parë e zvogëluar në Ligën e Kampionëve, të zgjeruar nga viti 2024, u miratua nga UEFA të martën, për të shmangur kështu një reagim të ashpër në mbarë Evropën.

Faza e grupeve e riformatuar është reduktuar prej dhjetë në tetë raunde, ndërsa vendet e rezervuara për ekipet bazuar në performancën historike janë hequr.

Kjo fazë do të vazhdojë të rritet nga 32 në 36 ekipe të vendosura në një renditje të vetme në vend të tetë grupeve.

Javët e bisedimeve që përfshinë ligat dhe klubet evropiane prodhuan formatin e rishikuar, që do të shohë dy vende shtesë në formatin e zgjeruar. Ato u jepen dy vendeve me renditjen më të lartë në UEFA, bazuar në rezultatet e ekipeve të tyre në garat evropiane sezonin paraprak.

Nëse sistemi do të ishte tashmë i vendosur, do të thoshte se skuadra e vendit të pestë në Angli do të kualifikohej në Champions së bashku me një vend të dytë automatik për Holandën. Skuadra që përfundon e treta në ligën holandeze do të kishte një shans për të hyrë në raundet kualifikuese të kësaj gare.

Plani origjinal i UEFA-s që ngjalli kritika, veçanërisht midis klubeve dhe tifozëve të klasës së mesme, do t'ua jepte dy vendet skuadrave me bilancin më të mirë të pesë sezoneve paraprake në Evropë, që nuk arritën të kualifikoheshin nëpërmjet ligave ku bëjnë gara.

Shpërndarja e dy vendeve të tjera të zgjerimit do të bëjë që një ekip shtesë të kualifikohet nga vendi që renditet i pesti në Evropë - rregullisht Franca - dhe një pozitë e pestë për kampionin e një vendi që nuk kualifikohet automatikisht.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin tha se rishikimi i planit që u dakordua në takimin e Komitetit Ekzekutiv në Vjenë, siguron që kualifikimi të bazohet në performancën sportive. Një plan fillestar radikal i paraqitur nga UEFA në vitin 2019 paraqiste 24 nga 32 vendet në Ligën e Kampionëve të mbyllura, pa pasur nevojë për t'u kualifikuar çdo vit - një garë kryesisht e mbyllur që klubet rebele të Superligës Evropiane u përpoqën ta prezantonin më pas me një ndarje të dështuar vitin e kaluar. Formati i ri, i cili u modifikua të martën, u ratifikua fillimisht nga UEFA në ditët e trazuara rreth nisjes së Superligës Evropiane, në muajin prill të vitit 2021.

“Ne jemi të bindur se formati i zgjedhur arrin ekuilibrin e duhur”, tha Çeferin. “Ky format do të përmirësojë ekuilibrin konkurrues dhe do të gjenerojë të ardhura solide që mund të shpërndahen në klube, liga dhe në bazën e futbollit në të gjithë kontinentin tonë duke rritur popullaritetin e garave tona të klubeve”.

Faza e parë kryesore në Ligën e Kampionëve me pamje të re do të shohë tetë skuadra të kualifikohen automatikisht për në raundin e 1/8 së finales. Renditja deri në vendin e 24-t nga 36 skuadrat pjesëmarrëse, do të sigurojë hyrjen në raundin e plejofit me 16 ekipe. Do të ketë dhjetë javë të caktuara për ndeshjet evropiane nga viti 2024, por vetëm tetë do të përdoren për tri garat e UEFA-s, të cilat do të fitojnë secila një javë ekskluziviteti për të ndihmuar veçanërisht Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës të marrin më shumë vëmendje. Edhe ato zgjerohen në 36 ekipe.

Championsi aktual me 32 ekipe prodhon 96 ndeshje në fazën e grupeve. Rënia nga dhjetë në tetë ndeshje për ekip do të sjellë 64 ndeshje shtesë në vend të 100 sosh para raundit të 1/8 së finales. Kjo do të kishte një ndikim në parashikimet e UEFA-s për të ardhurat që rriten rreth 40 për qind nga 3.5 miliardë euro aktuale në vit nga garat e klubeve. Liga e Kampionëve u krijua në vitin 1992 nga Kupa Evropiane, e cila filloi në vitin 1955 dhe ishte një turne me eliminim direkt për pjesën më të madhe të ekzistencës së tij.