Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

UEFA synon ta zgjerojë Evropianin e vitit 2028 në 32 ekipe

UEFA pritet ta zgjerojë Kampionatin Evropian në 32 ekipe pas diskutimeve që i ka mbajtur me federatat e saj, ka shkruar “Daily Mail” të mërkurën. E me këtë ide të UEFA-s nuk po pajtohen të gjithë. Kjo lëvizje e UEFA-s ka bërë që Shoqata e Futbollistëve Profesionistë (PFA) të kërkojë takim urgjent me drejtuesit e Shtëpisë Evropiane të Futbollit, pasi nuk po pajtohet me idenë e zgjerimit të Evropianit. UEFA po planifikon që këtë zgjerim ta bëjë për Evropianin e vitit 2028, i cili pritet të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar (Angli, Skoci, Uells, Irlandë e Irlandë të Veriut).

Aktualisht, formati i Evropianit është më 24 ekipe dhe kështu do të jetë edhe në Evropianin e vitit 2024, që do të mbahet në Gjermani dhe pas përfundimit të tij, UEFA pritet ta konfirmojë zgjerimin në 32 ekipe prej vitit 2028. Në fakt, UEFA tashmë e ka zgjeruar Evropianin.

Në vitin 2016, numri i ekipeve pjesëmarrëse u rrit në 24 nga 16 sa ishin. Mirëpo tani UEFA dëshiron që në Evropian të përfshihen jo më pak se 32 nga 55 vendet anëtare të saj përpara fundit të dekadës. E ky ndryshim i UEFA-s po shihet totalisht i padobishëm.

“Ndryshimi që po planifikon ta bëjë UEFA, ta zgjerojë Evropianin në 32 ekipe prej vitit 2028 nuk është aspak i mirë. Kjo mund ta kthejë sistemin kualifikues që është tashmë i diskutueshëm në sistem qesharak, pasi shumë përfaqësuese pothuajse do ta kishin të garantuar vendin në këtë ngjarje, që është menduar të jetë një turne i rëndësishëm”, ka shkruar “Daily Mail”.

UEFA tashmë ka paralajmëruar federatat e saj se së shpejti do të ngrihet një grup pune për ta studiuar këtë ide që pritet të jetësohet pas gjashtë vjetësh. Madje, mendohet se ky plan i UEFA-s tashmë ka marrë mbështetjen nga një pjesë e madhe e federatave evropiane. Burime brenda UEFA-s kanë thënë se palët e interesuara në të gjithë kontinentin për zgjerimin e Evropianit tashmë janë konsultuar dhe po e presin ndryshimin e madh për turneun e vitit 2028. UEFA ende nuk i ka bërë të qarta të gjitha detajet e kësaj ideje. Nuk dihet ende nëse sistemi do të përfshijë më shumë ndeshje në ciklin kualifikues, me shumë opsione që janë në diskutim. Shefi ekzekutiv i PFA-së, Maheta Molango, ka insistuar se ky propozim i UEFA-s për zgjerimin e Evropianit do ta dëmtojë cilësinë e këtij turneu dhe se tifozët e lojtarët do të vuajnë shumë.

“Kjo thjesht dëmton cilësinë e produktit. Tifozët nuk do ta shohin versionin më të mirë të idhujve të tyre dhe ky është realiteti. Po, mund të ketë përfitim financiar afatshkurtër, por në afat të gjatë UEFA po e dëmton produktin e saj”, është shprehur Molango.

Edhe Lajm i mirë për Kosovën – UEFA shqyrton zgjerimin e Evropianit në 32 ekipe Sport Lajm i mirë për Kosovën – UEFA shqyrton zgjerimin e Evropianit në 32 ekipe

Molango shtoi se edhe futbollistët do të shqetësohen me planin e UEFA-s. Sipas tij, në momentin që UEFA do të bëjë diçka zyrtare në lidhje me këtë çështje, futbollistët do të ankohen dhe përfundimisht do të refuzojnë kategorikisht zgjerimin e Evropianit.

“Ne jemi të shqetësuar për shkak se lojtarët janë ata që gjithmonë të fundit e zbulojnë. Së shpejti do ta kemi një bisedë me UEFA-n për këtë çështje”, u shpreh Molango.

Muajin e shkuar, federatat e futbollit në Mbretërinë e Bashkuar konfirmuan ofertën për organizimin e Kampionatit Evropian të vitit 2028 dhe gjasat janë të mëdha që ky turne të mbahet në këtë vend për shkak se Turqia po shqyrton tërheqjen e saj, ndërsa Rusia më nuk është opsion. UEFA do të bëjë publik organizatorin e Evropianit të vitit 2024 në muajin shtator të vitit të ardhshëm. Me llogaritë bankare në të gjithë kontinentin të varfëruara pas pandemisë COVID-19 dhe ndikimin e luftës në Evropë ende të panjohur, UEFA dëshiron që turneu i vitit 2028 të jetë në një treg të fortë që mund të garantojë fitime të mëdha. Më shumë ndeshje për t'u shitur tifozëve dhe transmetuesve do të ndihmojnë në riparimin e mëtejshëm të dëmit tashmë të shkaktuar.