Sulmuesi i Bayern Muenchenit, Thomas Mueller, ka insistuar së Liga e Kampionëve është “gara e bavarezëve”, në të cilën ai pret të triumfojë edhe këtë sezon.
Kampioni në fuqi i Evropës, Bayerni, në ndeshjen e xhiros së dytë të fazës grupore të Championsit, do të luajë ndaj Lokomotivës së Moskës. Kjo ndeshje i takon Grupit A dhe luhet të martën (sot) në Moskë prej orës 18:55.
Bayerni që në xhiron e parë dha sinjal se edhe këtë edicion ka synime të mëdha në këtë garë. Mposhti bindshëm Atletico Madridin me rezultatin 4:0. Me fitore bavarezët synojnë të vazhdojnë edhe kundër ekipit nga Rusia, i cili në xhiron e parë barazoi në udhëtim me Salzburgun (2:2).
“Ne jemi të lumtur që sërish po luajmë në këtë garë, që mund të them se është gara jonë. Duam të vazhdojmë me të njëjtin ritëm me të cilin edhe e përfunduan edicionin e kaluar dhe forma aktuale na garanton një gjë të tillë. Jemi optimistë se mund të triumfojmë sërish, pasi ekipi është në formë dhe gjërat janë shumë pozitive”, është shprehur Mueller. “Jemi favoritë dhe kjo është më se e qartë. Pas fitores ndaj Atleticos, synimi është që ta fitojmë edhe me Lokomotivën, ekip që e respektojmë si kundërshtar”.
Bayerni, që ka triumfuar në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, në 12 edicionet e kaluara me sukses e ka kaluar fazën e grupeve të Championsit.
“Bayerni gjithmonë është favorit, kështu që këtë sezon e kemi synim mbrojtjen e trofeut”, shtoi Mueller.
Lokomotiva e Moskës në vikend u befasua në kampionat nga Rotor Volgogradi, por trajneri i Bayernit, Hansi Flick, ka paralajmëruar bavarezët. Ai ka kërkuar nga lojtarët që të jenë të kujdesshëm kundër Lokomotivës, ekip që edicionin e shkuar përfundoi i fundit në grup, njëjtë si në edicionin 2018/19.
“Lokomotiva është një ndër ekipet më në formë të Rusisë, pasi ka pranuar shumë pak gola. Kështu që ne nuk duhet të jemi të relaksuar assesi për këtë duel”, shtoi Flick.
Te Lokomotiva insistojnë se janë të motivuar pas pikës së fituar në udhëtim ndaj Salzburgut. Trajneri Marko Nikoliq ka folur për synimet.
“Luajmë kundër kampionit të Evropës, një rast unik për ta dëshmuar veten si ekip dhe që nuk jemi rastësisht në këtë garë. Motivi nuk mungon dhe besoj në një paraqitje të mirë”, tha ai.
Ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo ndërmjet Atletico Madridit dhe Salzburgut, nis në orën 21:00.
Ndërkohë, Shakhtar Donetsku po synon fitoren e dytë rresht në grupin B pas befasisë që shkaktoi javën e shkuar duke triumfuar në udhëtim ndaj Real Madridit me rezultatin 3:2. Shakhtari e pret skuadrën e Interit, që në ndeshjen e parë barazoi në shtëpi kundër Borussia Moenchengladbachut. Edhe dueli mes Shakhtarit dhe Interit nis prej orës 18:55.
“Na pret një ndeshje e vështirë kundër Shakhtarit, që në xhiron e parë dëshmoi se ka një ekip të fortë pasi nuk është lehtë ta mposhtësh Realin në shtëpi”, ka thënë mesfushori i Interit, Arturo Vidal. “Synimi ynë mbetet kalimi i grupit dhe pas barazimit në xhiron e parë, dalim në fushë për fitore”.
Prej orës 21:00, Real Madridi do të luajë në Gjermani kundër Borussia Moenchengladbachut. Madrilenët pësuan nga Shakhtari, por vikendin e shkuar triumfuan në “Camp Nou” kundër Barcelonës (3:1) në “El Clasico”.
Kapiteni Sergio Ramos, që mungoi ndaj Shakahtarit, është i bindur se ajo disfatë e madrilenëve ishte vetëm aksidentale. Ai beson në një rikthim të fuqishëm të Realit ndaj Gladbachut.
“Po besoj se serisë së keqe i dhamë fund në duelin kundër Barcelonës dhe tani jemi të gatshëm për ta dëshmuar forcën tonë edhe në Champions, pasi nuk e nisëm mirë këtë garë. Fitorja ndaj Borussia Moenchegladbachut është shumë e rëndësishme për ne pasi kemi synime në këtë sezon. Jemi të gatshëm për të dëshmuar se humbja me Shakhtarin ishte e rastësishme”, ka insistuar Ramos.
Edhe ndeshjet e grupeve C dhe D do të zhvillohen të martën (sot) mbrëma dhe që të gjitha do të nisin prej orës 21:00.
E martë
Grupi A
Lokomotiva M. – Bayern M. (18:55)
Atl. Madrid – Salzburg (21:00)
1. Bayern M. 1 3
2. Lokomotiva M. 1 1
3. Salzburg 1 1
4. Atl. Madrid 1 0
Grupi B
Shakhtar D. – Inter (18:55)
Borussia M. – Real Madrid (21:00)
1. Shakhtar D. 1 3
2. Borussia M. 1 1
3. Inter 1 1
4. Real Madrid 1 0
Grupi C
Porto – Olympiacos (21:00)
Marseille – Man. City (21:00)
1. Man. City 1 3
2. Olympiacos 1 3
3. Marseille 1 0
4. Porto 1 0
Grupi D
Atalanta – Ajax (21:00)
Liverpool – Midtjylland (21:00)
1. Atalanta 1 3
2. Liverpool 1 3
3. Ajax 1 0
4. Midtjylland 1 0