Albian Hajdari nuk do të luajë në dy ndeshjet e ardhshme të Kosovës. Por nga grumbullimi është liruar edhe mesfushori Leon Avdullahu. FFK-ja nuk ka saktësuar nëse Avdullahu do të jetë në ndeshjen ndaj Izraelit, të enjten, por gjasat janë që të mungojë.
Avdullahu është liruar përkohësisht nga grumbullimi për arsye familjare.
Hajdari mungoi ndaj Austrisë për shkak të lëndimit dhe rikuperimi i tij është i pamundur të bëhet për dy ndeshjet e ardhshme. Kosova të dielën luan sërish me Austrinë.
“Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, është larguar nga grumbullimi i Dardanëve në Debrecen, pasi është konstatuar se rikuperimi i tij nga lëndimi nuk do të jetë i mundur në kohë për dy ndeshjet e radhës, kundër Izraelit dhe Austrisë. Përkundër angazhimit maksimal të stafit mjekësor dhe përpjekjeve për ta rikuperuar futbollistin, Hajdari nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për këto dy ndeshje”, ka njoftuar FFK-ja të martën.
“Ndërkohë, për arsye familjare, përkohësisht nga grumbullimi është liruar edhe mesfushori Leon Avdullahu. Ai do t’i bashkohet ekipit sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Avdullahu e Hajdari janë dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të Kosovës. Janë startues të rregullt. Të dy luajnë për Hoffenheimin në Bundesligë, së bashku me Fisnik Asllanin.