Kosova do të përballet me Maqedoninë në gjysmëfinalen e “Play-offit” të Ligës D për kualifikim direkt në Evropianin 2020.
Pasi fitoi grupin 3 të Ligës D dhe siguroi kualifikimin në Ligën C, Kosova do të ketë një rast shtesë për kualifikim në Evropian.
Pas përfundimit të kualifikimeve të rregullta që do të mbahen më 2019, Kosova në mars të vitit 2020 do të jetë pjesë e “Play-offit” të Ligës D.
Kosova e mrekullueshme kalon në Ligën C
Aty do të marrin pjesë katër fituesit e katër grupeve të kësaj lige. Në këtë rast janë Gjeorgjia, Bjellorusia, Kosova dhe Maqedonia.
Në “Play-off” luhen dy gjysmëfinale dhe një finale për të përcaktuar skuadrën e kualifikuar në Evropian. Në gjysmëfinale përballen ekipi më i mirë nga këto katër përfaqësuese me atë më të dobëtin, bazuar në pikët e marra në këtë ligë. I dyti luan me të tretin. Dy ekipet e para kanë përparësinë e terrenit vendas në gjysmëfinale, ndërsa për finale do të hedhet short për terrenin.
Këtu e para është Gjeorgjia me 16 pikë, Maqedonia është e dyta me 15, Kosova e treta me 14 dhe Bjellorusia e fundit me po aq pikë, por për shkak të goldiferencës më të dobët është e katërta.
Si rrjedhojë, Gjeorgjia do të luajë me Bjellorusinë e Kosova udhëton drejt Maqedonisë.