Komuna e Suharekës tani është bërë me shesh të ri. Që nga java e kaluar suharekasit pazarin do ta bëjnë në hapësira të reja. Përmes grantit të performancës Suhareka ka investuar 300 mijë euro dhe ka zhvendosur tregun në një lokacion tjetër. Disa qytetarë janë pro lokacionit të ri e disa të tjerë kundër.
Për shumë vjet e pazarit në Komunën e Suharekës është organizuar në këto hapësira të vogla.
Me tollovi dhe me kolona të shumta është karakterizuar dita e martë në këtë komunë.
Mirëpo, tani suharekasit e kanë një treg të ri, i cili është më modern.
Rreth 1 kilometër larg qendrës së qytetit, tregu i ri karakterizohet me më shumë pastërti, me tualete publike dhe me një hapësirë më të madhe për parking.
Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, thotë qe një kohë të gjatë se Komuna e ka ndarë vendin për ndërtimin e tregut, mirëpo nuk kishte buxhet për një gjë të tillë.
Kësisoj tregu u ndërtua me grante të performancës të dhënë nga Qeveria për komunat e suksesshme.
“Në Komunën e Suharekës kanë kaluar hartat zonale të qytetit në kuadër të planit zhvillimor komunal para dy vjetëve. Në këtë plan është përfshirë edhe projekti i tregut të lirë, pra të hiqet nga qendra e qytetit dhe të sillet në këtë hapësirë. Ne hapësirat e tregut të ri do të ndërtohet parku i dëshmorëve dhe disa fusha sportive për të rinjtë e Suharekës. Tregu u ri është i ndërtuar me standarde evropiane, ka tualetet publike, ka ujë të mjaftueshëm dhe ka ndriçim dhe është më në periferi të qytetit diku 200 metra vijë ajrore. Është i ndërtuar me buxhet të performancës. Ne në vitin 2022 kemi marrë një grant të performancës dhe me të e kemi ndërtuar dhe ka kushtuar diku rreth 300 mijë euro”, thotë Muharremaj.
Kryetari Muharremaj pranon se disa tregtarë nuk ishin të pajtimit që tregu të zhvendosej.
“Në asnjë shtet në botë tregjet javore nuk organizohen në qendër të qytetit. Ne kemi një plan tjetër për lokacionin e vjetër, siç edhe e thash më herët. Unë personalisht kam dashur që parku i dëshmorëve të ketë një hapësirë më të denjë dhe më të pastër, vitin e ardhshëm e kemi në plan edhe dy objektet që janë afër këtyre hapësirave t’i zhvendosim, në mënyrë që qytetarët e Suharekës ta kenë një vend adekuat për shëtitje. Sa u përket tregtarëve, disa janë të kënaqur me lokacionin e ri e disa të tjerë nuk janë, për shkak se ka ankesa edhe më tutje për parkingje, mirëpo këtu është shumë më mirë sesa poshtë që ka qenë tollovi çdo të martë dhe besoj që do të mësohen shumë shpejt edhe ata”, thekson ai.
Ka edhe prej qytetarëve që nuk janë dakord që lokacioni i pazarit të jetë më larg.
Qytetari Asllan Gashi thotë se është e mundimshme bartja e gjërave ushqimore në dorë nga tregu për në shtëpi.
“Unë mendoj që tregu më herët derisa ka qenë më afër qytezës ka qenë më mirë sesa tash që komuna e ka zhvendosur. Furnizimi për nevojat e qytetarëve ka qenë më i lehtë kurse tash atje është më e vështirë, sepse ka një rrugë për të bërë edhe është më larg shtëpive tona. Në këtë treg kanë pasur mundësi që edhe fëmijët ta kryejnë pazarin kurse tash duhet të shkosh enkas te tregu. Vendi është i mirë ka më shumë hapësirë edhe kushtet janë më të mira, por lagësia e bën të vetën. Është puna e bartjes së gjërave ushqimore në dorë, sepse jo të gjithë kanë vetura, këtu kemi pasur mundësi me qese në dorë të pajisemi me gjëra ushqimore”, deklaron ai.
Kurse qytetari Sabit Hysenaj thotë se edhe pse tregu i ri është më larg, atij po i pëlqen vendimi i Komunës. Shprehet se tani qendra e qytetit në ditën e pazarit nuk është tollovi, siç që ka qenë në të kaluarën.
“Vendimi i komunës unë vlerësoj që është i mirë, për arsye se për momentin qendrën e qytetit e kemi më të qetë. Atje është më larg, është e vërtetë, por furnizimi po bëhet njëjtë, por edhe ne po e kemi më të qetë qytetin. Në ditën e pazarit qendra e qytetit ka qenë e bllokuar gjithmonë, për shkak të trafikut të dendur dhe qarkullimi ka qenë shumë herë më i vështirë sesa tash. Atje duhet të shkosh vetëm me automjet nëse dëshiron që të blesh diçka, po është më e vështirë. Mirëpo nuk është keq as atje, pse jo, të ecim edhe ne nga pak”, ka deklaruar ai.
Tregu i ri është vendosur në lagjen “Fidanishte” në Suharekë.