Pacientët dhe familjarët e tyre janë ankuar për mungesë të vendeve të parkingut dhe koston e lartë të pagesës brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Rregullorja për shfrytëzimin e hapësirave të parkingjeve, e miratuar në shkurt të këtij viti, parasheh pagesë prej një euro për shfrytëzimin e parkingut, si dhe vende të rezervuara për zyrtarë drejtues të SHSKUK-së dhe QKUK-së
Përveç sfidës me të cilën po përballet për shkak të sëmundjes së bashkëshortes, Xhemë Xhema, thotë se vështirësi shtesë për të paraqet edhe parkimi brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas tij, kostot e parkimit bëhen të papërballueshme për familjarët që detyrohen të qëndrojnë pranë pacientëve gjatë gjithë ditës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE problem sipas tij është edhe pamundësia për t’u afruar me veturë pranë klinikave, sidomos në rastet kur pacientët kanë vështirësi në lëvizje.
“Parkingu i Qendrës është këtu, por është me pagesë. Ne që kemi nevojë me ndejtë tërë ditën paguajmë çmim të lartë, tërë ditën paguajmë diku rreth 10 euro. Ky është çmim jashtë normales për neve që jemi të obliguar me nejtë me pacientë. Pacientët janë të palëvizshëm dhe duhet me i transportu deri këtu e me qëndru me ta 24 orë. Kështu që na që jemi të detyruar me nejtë për 24 orë, pagesa është jashtë normales”, ka thënë Xhema.
Edhe pacienti në Kardiologji, Xhemshit Zeqiri, thotë se shpesh detyrohet ta parkojë veturën jashtë kompleksit, gjë që sipas tij, i krijon vështirësi shtesë, atij dhe përcjellësve.
“Problemet janë të theksuara, janë aktuale. Është e vërtetë çka thatë edhe ju. Pacientët e dojnë përkujdesjen prej familjarëve. Problem është edhe parkingu, sepse duhet me dalë ndoshta edhe krejt prej oborrit të QKUK-së diku tjetër me parku kerrin, sepse nuk gjendet vend për parkim. Është maltretim. Kish qenë mirë me mendu udhëheqësit e QKUK-së, ndoshta edhe të Ministrisë, për një zgjidhje fatlume për pacientët, sepse pacienti është pacient, ka nevojë për ndihmë, por maltretimi është i madh edhe për familjarët”, ka thënë Zeqiri.
Ankesa për koston e parkimit ka shprehur edhe pacienti Ismet Musa, sipas të cilit gjatë vizitave në QKUK shpesh është detyruar të paguajë shuma të konsiderueshme vetëm për parkim.
“M’ka ra brenda ditës me pagu 7-8 euro edhe s’kam pas vend ku me parku. Kurrë pa 7-8 euro s’kam dalë prej këtu. Populli shqiptar nuk mundet me iu përballu këtyre çmimeve kaq të larta. Më herët ka qenë shumë ma lirë, me 50 centë mund të hyje, eventualisht shkojke deri në 2 euro, tash shkon deri në 7-8 euro e ndonjëherë edhe 10 euro për parking. Është shumë keq”, ka thënë ai.
E në një përgjigje nga Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar (SHSKUK) kanë thënë se nuk kanë as hapësirë e as mjete financiare për ndërtimin e parkingjeve të reja.
“Aktualisht nuk kemi hapësirë të lirë dhe as mjete financiare të dedikuara për ndërtimin e parkingjeve të reja. Hapësirat brenda QKUK-së janë të limituara për të garantuar lëvizjen e lirë të autoambulancave. Qytetarët mund t'i sjellin pacientët në spital dhe t'i parkojnë automjetet e tyre në parkingjet e qytetit, si për shembull në lagjen ‘Ulpiana’, e cila ndodhet shumë afër nesh. Vlen të theksohet se askush nuk e detyron askënd të parkohet brenda oborrit të QKUK-së me orë apo ditë të tëra. Hapësira spitalore duhet të mbetet e lirë dhe e qasshme kryesisht për raste emergjente”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Rregullorja për shfrytëzimin e hapësirave të parkingjeve në QKUK është miratuar në shkurt të këtij viti.
Sipas kësaj rregulloreje, një numër i hapësirave të parkingut është i rezervuar për pozita drejtuese në SHSKUK dhe QKUK.
Bazuar në rregullore, tarifa për një orë parkimi është një euro.