Çdo vit sjell suksese të reja për aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Me shtimin e shërbimeve, rritjen e stafit, linjave të reja ajrore dhe një numër gjithnjë në rritje të udhëtarëve, edhe ky vit po premton rezultate të jashtëzakonshme.
Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, thotë se trendi i rritjes së udhëtarëve po vazhdon edhe këtë vit. Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025 është shënuar një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
E me këtë fluks të udhëtarëve u shtuan edhe kërkesat për linja të reja. Më 3 korrik priten të jenë udhëtimet e para drejt qyteteve franceze në Lion dhe Paris.
“Vitin e kaluar kemi përmbyllur një vit të suksesshëm me mbi 4 milionë udhëtarë, në 3-mujorin e parë të këtij viti kemi arritur një rritje të numrit të udhëtareve me 16% më shumë sesa viti paraprak, jemi duke pasur një trend të rritje, edhe gjatë kësaj sezone presim të arrijmë numrin mbi 4 milionë udhëtarë dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë fluks të udhëtarëve. Kemi planifikuar më datë 3 korrik të kemi udhëtimin e parë për Lion dhe Paris dhe shpresojmë të kemi interesim të udhëtarëve, biletat tanimë janë në shitje, është destinacion i kërkuar mjaft nga udhëtarët kosovarë dhe shpresojmë t'i shfrytëzojnë këto destinacione. Përveç investimeve në infrastrukturë, sikur shtimi i portave nga 8 në 12 tani, ne po ashtu kemi pasur edhe rritje të punësimit të të rinjve në Kosovë, kemi rritur numrin e të punësuarve rreth 61 punëtorë më shumë në krahasim me periudhën e vitit të kaluar, vetëm nga janari janë 50 punëtorë më shumë”, ka thënë Gara.
Shërbimi më i ri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është “Self Check-In”, një sistem që u mundëson udhëtarëve të kryejnë vetë procesin e regjistrimit pa pasur nevojë të presin në radhë.
Ky shërbim, që prej kohësh është pjesë e aeroporteve ndërkombëtare, tani është në dispozicion edhe në Kosovë, duke e bërë përvojën e udhëtimit më të shpejtë dhe më komode për të gjithë pasagjerët.
“Ne kemi tani edhe Self Check-In, apo sportelet e vetëpranimit të udhëtareve ku ata mund të kryejnë shërbimet e tyre në mënyrë vetanake pa pasur nevojë të shkojnë të presin në linjë të gjata tek sportelet e pranimit të udhëtarëve që patjetër duhet pasur një punonjës, udhëtarët dinë ta përdorin sepse ky shërbim ka qenë edhe në aeroporte tjera më herët e sidomos moshat e reja dinë mjaft mirë ta përdorin, mirëpo ne kemi vendosur edhe personel shtesë afër sporteleve në mënyrë që të ndihmohen udhëtarët nëse kanë ndonjë vështirësi gjatë kryerjes së këtij procesi. Le ti përdorin Self Check-In më shumë, sepse nuk ka radhë dhe procedurën e kryejnë më shpejt”, ka shtuar ai.
Destinacionet më të shpeshta vazhdojnë të jenë Zvicra, Gjermania dhe Austria, vendet ku jeton dhe vepron numri më i madh i mërgimtarëve shqiptarë.
“Zakonisht parapërgatitemi për çdo fluks të udhëtarëve kemi kapacitetet e duhura nga burimet njerëzore dhe ato infrastrukturore, kemi shtim të hapësirave në terminal, kemi shtuar shërbime të reja, kemi diku rreth 31 sportele të pranimit të udhëtarëve për momentin kemi kapacitete të mjaftueshme për çfarëdolloj luksi duke pasur parasysh edhe trendin e rritjes. Destinacionet që paraprijnë me numër të udhëtarëve akoma mbeten shtetet si Zvicra, Gjermania, pasohet nga Turqia e Austria. Zvicra është diku rreth 40% e tregut në Kosovë po ashtu edhe Gjermania, Turqia me 9% të tregut dhe 6% Austria. Ditët më të ngarkuara janë mesjava, e mërkura dhe e vikendeve, ka raste kur ne kemi mbi 100 fluturime brenda ditës, mirëpo ka edhe ditë ku ka më pak fluturime deri në 60-70 fluturime në ditë”, ka shtuar ai.
Sipas ekspertit të turizmit, Baki Hoti, Kosova nuk është më vetëm destinacion për diasporën, por po tërheq gjithnjë e më shumë edhe turistë të huaj. Vetëm gjatë vitit të kaluar është shënuar një rritje prej 36% të vizitorëve ndërkombëtarë, duke e pozicionuar Kosovën si një destinacion në ngritje në hartën turistike të rajonit.
“Prej liberalizimit të vizave ka filluar që shumë kosovare të vijnë në vizitë dhe të shkojnë në vende të ndryshme për të vizituar, sa i përket diasporës tanimë ka filluar veçse sezoni dhe kemi fluks të shtuar të diasporës që po vijnë në Kosovë përmes aeroportit 'Adem Jashari' ndërsa sa i përket numrit të rritur të vizitoreve ndërkombëtare që dita ditës po shtohen mund të them se tanimë Kosova është destinacion turistik dhe ne kemi punuar shumë për përfshirje të Kosovës në paketa ballkanike dhe evropiane dhe kjo ka rezultuar pozitivisht që Kosova është e përfshirë si destinacion dhe kemi rritje të turistëve, vitin e fundit e kemi përmbyllur me 36.8% rritje të numrit të turistëve ky trend është në rritje e sipër”, ka deklaruar Hoti.
Hoti thekson se institucionet duhet të investojnë më shumë në promovimin ndërkombëtar të resurseve turistike të Kosovës.
“Neve na janë bërë rutinë gjërat në Kosovë, por ne kemi shumë potencial turistik, përshtypjet e të huajve që vijnë këtu është krejt në fillim ndryshe ndërsa kthehen me një mendim tjetër, jemi shtet i ri me kulturë, traditë, mikpritje, me potencial turizmi natyror, kemi mjaft për të ofruar dhe kjo ka reflektuar me shtimin e interesimit të grupeve ndërkombëtare për ta vizituar Kosovën. Kemi parë shtim të turistëve nga vendet aziatike, ata vijnë në tour ballkanike që është e përfshirë edhe vendi ynë por institucionet duhet bërë më shumë për turizmin sepse është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit”, ka thënë Hoti.
Sipas sociologut Jeton Brajshori, këto shifra pritet të vazhdojnë të rriten, përderisa ekziston një diasporë e fuqishme dhe familje që i ruajnë lidhjet me atdheun me përkushtim të madh. Liberalizimi i vizave e ka forcuar edhe më shumë këtë lidhje, duke e bërë më të lehtë dhe më të shpeshtë komunikimin e drejtpërdrejtë mes mërgatës dhe familjarëve të tyre në Kosovë.
“Shqiptarët shquhemi për familje të mëdha edhe pse kemi migruar gjithnjë kemi mbajtur lidhjet sepse hapat e parë të traditave, vlerave, normave i kemi në familje dhe ne mund të mburremi sepse përveç lidhjes emocionale ne kur migrojmë e ruajmë edhe kulturën kudo që shkojmë, hapim shkolla e klube shqipe sepse duam ta kemi një pjesë të vendit tonë atje. Kjo lidhje emocionale tani me liberalizim është bërë më e lehtë sepse sidomos gjeneratat më të vjetra kanë një lidhje të veçantë me nipërit dhe mbesat e tyre që janë në diasporë dhe me këtë mënyrë socializmi i brendshëm familjar që është i domosdoshëm na mundëson tani të lëvizim më lirë dhe shfrytëzojmë sadopak kohë e një biletë të lirë që të afrohemi tek familjarët tanë”, ka thënë Brajshori.
Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është i përgatitur për të përballuar një verë me fluks të lartë udhëtarësh, duke shpresuar që sivjet të vendoset një rekord i ri, falë infrastrukturës së përmirësuar dhe përkushtimit të stafit.