Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, ka thënë se aeroporti ka marrë të gjitha masat e nevojshme infrastrukturore dhe në aspektin e burimeve njerëzore për të përballuar fluksin e udhëtarëve gjatë sezonit veror. Në një intervistë për Ekonomia Online, Gara ka deklaruar se, pavarësisht rënies së numrit të udhëtarëve gjatë muajve paraprakë, korriku ka nisur me një rritje të lehtë dhe pritjet janë që edhe ky sezon të jetë i ngarkuar.
Ajo ka thënë se në rënien e numrit të udhëtarëve në muajt e kaluar ka ndikuar kriza në Evropë e shkaktuar si pasojë e luftës SHBA-Iran.
“Ne vitin e kaluar kemi përmbyllur vitin me 4.6 milionë udhëtarë. Tre muajt e parë kemi pasur një rritje të numrit të udhëtarëve, ndërkaq tre muajt paraprak, para muajit korrik, kemi pasur një rënie të numrit të udhëtarëve. Megjithatë, muaji korrik ka filluar me një rritje të vogël të numrit, kështu që po besojmë se edhe kjo sezon në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës do të jetë e ngarkuar. Edhe kriza evropiane ka ndikuar edhe në uljen e udhëtarve të muajve paraprak”, tha ajo.
Duke folur për çmimet e biletave, Gara ka thënë se ato përcaktohen nga kompanitë ajrore dhe ndikohen nga kërkesa e tregut, ndërsa sipas saj, çmimet ndryshojnë varësisht nga destinacioni dhe koha kur blihet bileta.
“Nëse fillojmë të krahasojmë destinacionet, po ashtu nëse fillojmë të krahasojmë me aeroportet e rajonit, nuk besoj se kemi një, po mendoj çmime më të larta të biletave, megjithatë kjo ju përket kompanive ajrore. Ndërkaq çmimet e biletave rregullohen në bazë të kërkesave të tregut. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka taksat e caktuara për çdo udhëtar. Prandaj sado që të jetë një biletë e aeroplanit, ne përsëri do të kemi taksën e njëjtë. Kjo është diku rreth 20.53 për udhëtar, duke përfshirë këtu taksën e sigurisë, pastaj ground handling, të kullës së trafikut ajror apo hapësirës së lartë dhe hapësirës së ulët ajrore. Kështu që varësisht nga destinacioni, varësisht në kohën e blerjes së biletës, çmimet variojnë”, tha ajo.
Edhe
Si shpëtuam për një fije floku në Rambouillet
Gara ka bërë të ditur se në Aeroportin e Prishtinës janë shtuar destinacione dhe linja të reja, ndërsa pritet edhe zgjerim i mëtejshëm i rrjetit të fluturimeve.
“Po, ne kemi mjaft destinacione që janë shtuar destinacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, si nga kompania GP Aviation, po ashtu edhe Wizz Air. Tani Wizz Air do të thotë veçse ka filluar bazën e tyre këtu në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, që është një arritje mjaft e madhe për aviacionin kosovar. Po ashtu do të ketë edhe shtim të linjave të reja, destinacioneve të reja, po ashtu edhe shtim të frekuencave në destinacionet ekzistuese. Ne në vazhdimësi përcjellim trendet e fluturimeve dhe trendet në aviacion, prandaj besojmë se në një kohë të shkurtër edhe ne do të kemi destinacione të tjera shtesë përveç këtyre të cilat veçse i servojmë”, tha ajo.