SOT

Përurohet “Shtegu Panorama” në peisazhin e mbrojtur të Gërmisë

Ky është “Shtegu Panorama” në peizazhin e mbrojtur “Gërmia”, projekt i realizuar nga korporata “Rugova”, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kompaninë “Edhe” dhe grupin e alpinizmit “Prishtina”.

Shtegu është i gjatë 3.2 kilometra dhe kalon përmes zonave që kanë vlera të veçanta natyrore dhe arkeologjike e historike.

Në hyrje janë vendosur tabela orientuese që tregojnë rrugën, pikat kryesore të ndalesës, si dhe rregullat për ruajtjen e mjedisit.

“Ky shteg është 3.2 kilometra, është shteg ekzistues dhe nuk është bërë prerja e pyllit apo ndërhyrje të tjera. Është Brenda zonës së mbrojtur. Veçantia e këtij shtegu është se ka vlera didaktike, arkeologjike dhe jem menduar të bashkëpunojmë me institutin e arkeologjisë, me personat kompetent t’i vendosim shenjat bashkë me informacione. Jem në përpjekje që qytetarët të janë më aktiv në natyrë”, ka thënë Nazmi Hasanramaj nga Klubi “Alpin Prishtina”.

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, thotë se ka dhjetëra kilometra shtigje të ndërtuara në kryeqytet.

“Është  një ditë e mrekullueshme sot për Prishtinën, për Alpinizmin e Prishtinës dhe për shëtitjet në Gollak. Shtigje të reja po shtohen çdoherë e më shumë, duke iu falënderuar bashkëpunimit që e kemi me klubin e alpinizmit. Masterplani ynë për zhvillimin e Gollakut, për zhvillimin e zonave turistike tashmë vetëm se është bërë realitet. Kemi një numër të madh të shtigjeve të cilat janë krijuar, kemi më shumë se 90 kilometra shtigje, të cilat tashmë i kemi shenjëzuar. Për dy vjetët e ardhshëm kemi në plan që të gjitha fshatrat e Gollakut me qenë të ndërlidhura me shtigje sikurse kjo sot, të cilën e përuruam”, ka thënë Rama.   

Shtigjet e tilla për qëllim kanë ecjen në natyrë dhe mbrojtjen e peizazhit të Gërmisë, një nga zonat më të frekuentuara .

Korporata “Rugova” synon që përmes projekteve të tilla të jetë sa më afër komunitetit.