Në fizikun e një njeriu, që në pamje të parë është lëkura ajo që e pasqyron kujdesin në mirëmbajtje e ushqim.
Veçanërisht lëkura e fytyrës konsiderohet si tejet e ndjeshme për shkak të kontaktit direkt me faktorët natyrorë.
Dermatologia Artizana Dushi theks të veçantë i jep mirëmbajtjes së fytyrës, sidomos kur ajo, thotë të jetë problematike.
“Lëkura është organi më i madh i trupit dhe si i tillë kërkon një mirëmbajtje të veçantë. Lëkura jonë është shumë e ekspozuar ndaj faktorëve të jashtëm. Në mirëmbajtjen e saj rol kyç ka rutina ditore e pastrimit të fytyrës”, thekson dermatologia Artizana Dushi.
Sipas Dushit, aknet janë shqetësimi më i shpeshtë që paraqiten te mosha e adoleshencës e përcillet edhe tek ajo madhore.
“Sëmundjet më të shpeshta të lëkurës te moshat e reja janë aknet. Problemi me aknet është kompleks, sepse kërkon një mjekim të caktuar dhe shumë individual, pasi që ka lloje të ndryshme të akneve”, shton Dushi.
Në ambientin ku ajo punon, klientët drejtohen lirshëm për t’i trajtuar shqetësimet që kanë me fytyrën.
“Pastrimi i thellë i fytyrës”, kështu njihet në dermatologji një nga format e trajtimit, të cilën Dushi e aplikoi në fytyrën e njërës prej klientëve.
“Është bërë avullimi i fytyrës i cili është i domosdoshëm, sepse hap poret, ndërsa pas avullimit të saj e përdorim shpatullën e cila ndihmon në heqjen e papastërtive”, thotë dermatologia.
Dermatologia bën dallimin midis fytyrës normale dhe asaj më problematike, duke treguar se sa ju duhet mirëmbajtje estetike të dy llojeve.
E fundit në aplikim mbetet maska, e cila vendoset në fytyrë pas trajtimit dhe duhet të zgjasë 20 minuta.