SOT

Pas mijëra shërbimeve terapeutike falas, “Down Syndrome Kosova” përballet me mungesë fondesh

Janë mbushur pothuajse dy dekada që kur u themelua shoqata “Down Syndrome Kosova” (DSK), dhe çdo vit ka qenë sfidues për këtë organizatë të mbijetojë dhe të ketë të sigurt ofrimin e shërbimeve për anëtarët e saj.

E në këtë tetor, që po ashtu njihet si muaji i ndërgjegjësimit ndaj sindromës Down, shoqata “Down Syndrome Kosova” ka nisur fushatën ‘Çka po bon për neve’, që për qëllim ka sigurimin e fondeve përmes së cilave ofrohen më pas shërbime e terapi falas për gjithë anëtarët në shoqatë.
Riada Stanovci nga “Down Syndrome Kosova” tregon se aktualisht shërbimet terapeutike ofrohen në 5 qendra të ndryshme të shpërndara në Kosovë, e fëmijët me sindromën Down marrin 6640 shërbime të terapisë së zhvillimit dhe okupacionale në vit, pa pagesë.

“Tetori shënon muajin e ndërgjegjësimit për sindromën Down. Kemi lansuar fushatën ‘Çka po bon për neve’ me qëllim të ngritjes së fondeve për sigurimin e shërbimeve terapeutike që ofrohen në 5 qendrat e organizatës sonë. Ne vazhdimisht po bëjmë thirrje, fushata ka qenë në kohë zgjedhjesh, jemi drejtuar nga kandidatët për kryetarë e asamblistë, por të gjithë mund të ofrojnë kontributin e tyre. Fushata do jetë deri në fund të muajit. Jemi në 5 qendra: Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Mitrovicë e Gjilan. Vetëm në Prishtinë kemi 100 përfitues aktivë të rritur dhe fëmijë. Në programin për intervenim dhe edukim të hershëm ofrohet shërbimi i fizioterapisë, i gjuhës dhe komunikimit, dhe terapia e zhvillimit nga psikologu. Kemi 70 fëmijë që marrin shërbime këtu. Te aftësimi profesional janë 30 anëtarë”, thotë Stanovci.

Sipas DSK-së, shërbimet janë tejet të rëndësishme për anëtarët e shoqatës, por nganjëherë për shkak të mungesës së fondeve, ata janë të limituar në shërbime. Stanovci shton se shërbimet e tilla kanë kosto të lartë, e për fat të mirë ato vazhdojnë të ofrohen pa pagesë këtu.

“Shërbimet terapeutike që ofrohen te ne janë tejet qenësore për anëtarët. Problemet financiare nganjëherë na detyrojnë të limitojmë shërbimet për anëtarët. Nëse një fëmijë ka nevojë të marrë 5 herë në javë shërbim nga logopedi, por ne kemi mundësi vetëm për 2-3 shërbime në javë, kjo është arsyeja pse lobojmë për ngritje të fondeve që të ofrojmë shërbimet e nevojshme për këta persona. Kostot e terapive janë shumë të larta, por këtu janë pa pagesë. Nëse nuk ofrohen nga shoqata, atëherë prindërit do të duhej të paguanin kosto të lartë, nga 15 euro e tutje për një shërbim”, deklaron Stanovci.

Ajo thotë se edhe prindërit janë të shqetësuar për të ardhmen e organizatës, nëse do të mbesin pa shërbime.

“Ne kemi bashkëpunim me prindërit e organizatës. Janë tejet të kënaqur me ne. Prindërit po ashtu ndiejnë frikën e mbylljes së këtyre shërbimeve. Dita këtu fillon nga ora 8 deri në 4, jemi në punë. Prindërit fillojnë e sjellin fëmijët e tyre për të marrë shërbime këtu”, thekson Stanovci.

DSK fton të gjithë të mbështesin fushatën ‘Çka po bon për neve’, në mënyrë që DSK-ja të rrojë sa më gjatë dhe fëmijët të vazhdojnë marrjen e shërbimeve terapeutike të nevojshme pa pagesë.

“Në DSK bëhen dy herë në vit vlerësimet e anëtarëve dhe shohim sa kemi pasur progres dhe e shohim se shërbimet me të vërtetë kanë qenë të nevojshme. Në periudha të ndryshme, si punëtoria e kartolinave në dhjetor, krijohet një atmosferë e mirë dhe mezi presin të vijnë. Ftoj gjithë njerëzit vullnetmirë të japin kontributin e tyre, jo vetëm me share në Facebook, por të kontribuojnë duke dhënë donacion”, thotë Stanovci.

Fushata “Çka po bon për neve” është më shumë se një thirrje për ndihmë, është një mundësi për të garantuar vazhdimësinë e një pune jetike për qindra fëmijë dhe familje në Kosovë. Kontributi i secilit, qoftë i vogël apo i madh, ndihmon në krijimin e një të ardhmeje më të mirë për personat me sindromën Down.