Irani vazhdon të këmbëngul në kërkesat e tij për hapjen e ngushticës shumë të rëndësishme të Hormuzit.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, ka thënë se Irani nuk do ta rihapë Hormuzin derisa Shtetet e Bashkuara të plotësojnë kushtet e Teheranit.
“Është pala amerikane ajo që duhet të ndalojë dhe të korrigjojë veprimet e saj të paligjshme dhe shkatërruese”, ka thënë të hënën Esmail Baghaei, duke iu referuar bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Irani kërkon që SHBA-ja të heqë bllokadën, të paguajë kompensim për dëmet e shkaktuara nga muajt e luftës, të heqë sanksionet ekonomike dhe të zhbllokojë asetet e ngrira të Iranit.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë ujore përmes së cilës normalisht transportohet rreth një e pesta e furnizimeve të naftës që tregtohen në botë, ka krijuar pasoja të rënda në botë.
Ngërçi ka bërë që çmimet e energjisë të mbeten një nga çështjet kryesore të politikës amerikane përpara zgjedhjeve të mesmandatit që mbahen këtë nëntor.
Edhe
Irani liston kërkesat për hapjen e Hormuzit
Irani po zhvillon bisedime të veçanta me Omanin për kalimin përmes ngushticës, duke përfshirë mundësinë e krijimit të përkohshëm të një korridori për transportin detar.
Megjithatë, Teherani ka deklaruar se çdo rihapje e vërtetë e ngushticës varet nga negociatat me SHBA-në.