Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë të dielën se negociatat me Omanin për krijimin e rrugëve të reja të lundrimit përmes ngushticës së Hormuzit janë në fazat e fundit.
Duke folur për gazetarët në Teheran, Araghchi ka shtuar se marrëveshja nuk do të thotë se ngushtica, e cila është jetike për furnizimet globale me naftë dhe gaz natyror, do të rihapet automatikisht.
“Një marrëveshje për rrugët e lundrimit mund të arrihet, por rihapja e ngushticës së Hormuzit varet nga përmbushja e një grupi të veçantë kushtesh dhe këto kushte po përcillen përmes ndërmjetësve”, ka deklaruar ai.
Araghchi ka thënë po ashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë “shkeljen” e një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar në qershor, i cili synonte t’i jepte fund javëve të luftimeve dhe të mundësonte rihapjen e ngushticës, ndër të tjera.
Të shtunën, Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka deklaruar se ngushtica e Hormuzit nuk do të hapet derisa Shtetet e Bashkuara të “korrigjojnë sjelljen e tyre”, duke paraqitur kërkesa të reja që mund të ndryshojnë rrjedhën e negociatave për një marrëveshje për menaxhimin e kësaj rruge ujore.
Edhe
Irani thotë se Hormuzi nuk hapet pa i plotësuar SHBA-ja kërkesat e tij
Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta kërcënojnë më kurrë Iranin, thuhej në deklaratë, ndërsa Uashingtoni duhet t’i japë fund përgjithmonë luftës me Iranin dhe me aleatët e tij të armatosur në rajon.
SHBA-ja duhet të heqë bllokadën detare ndaj porteve iraniane dhe të tërheqë forcat e saj ushtarake nga zona. Gjithashtu, ajo duhet ta “dëmshpërblejë plotësisht” Iranin për dëmet e shkaktuara nga lufta, të heqë sanksionet dhe të “çlirojë pa kushte” asetet e ngrira, janë kërkesat e tjera të Iranit.