Çdo mëngjes, Ramiz Smajli e dërgon djalin e tij pesëvjeçar, Ledionin, në një institucion parashkollor publik, me dëshirën që ai të jetë i barabartë me fëmijët e tjerë.
Ledioni është me Sindromën Down dhe, sipas prindit, pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme në institucion ka ndikuar dukshëm në zhvillimin dhe socializimin e tij.
Ledioni ndjek edhe terapi zhvillimore në Qendrën Rajonale për Sindromën Down në Ferizaj, pasi një qendër e tillë mungon në Shtime, qytetin ku jeton familja Smajli.
“E kemi vërejtur një përmirësim të madh te Ledioni që nga pranimi në çerdhen publike. Prej tre vjetësh e dërgojmë edhe në Qendrën Rajonale për Sindromën Down në Ferizaj, ku ndjek terapi me psikologe dhe logopede, kemi vërejtur edhe aty ndryshim. Socializimi ka ndodhur që kur u pranua në çerdhe, përmes konkursit të rregullt. Ai ka edhe asistente personale që kujdeset për aktivitetet e tij. Në aplikim kemi paraqitur diagnozën dhe falë udhëzimit të Qendrës “Sindrom Down Kosova”, Ledioni u pranua. Shumicën e kohës ia kushtojmë Ledionit, sepse jemi 5 anëtarë, por edhe në çerdhe ai është duke kaluar shumë mirë. Ne e marrim kudo me vete dhe e kemi socializuar mjaftueshëm. Jo të gjitha familjet kanë këtë komoditet, kjo kategori ka nevojë për më shumë mbështetje, vëmendje dhe përkushtim”, thekson Smajli.
Ai vëren ndryshime të dukshme në vetëbesimin dhe sjelljen e djalit, por shpreh shqetësim për fazën e ardhshme, fillimin e shkollës fillore.
“Ne prindërit e fëmijëve me Sindromën Down kemi më shumë shqetësim për periudhën kur ata nisin klasën e parë e tutje, sepse fëmijët më të rritur dinë të bëjnë dallime, dhe kjo mund t’i ndikojë emocionalisht. Vetë jam pjesë e arsimit dhe i njoh mirë vështirësitë, mungesën e psikologëve dhe kushteve për këto kategori. Shpresoj që shoqëria jonë dhe institucionet të ndërmarrin hapa më konkretë për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta. Ledioni merr 20 euro shtesë për fëmijë dhe 100 euro për gjendjen e tij. Ne ia dalim, por për familjet me kushte më të vështira, këto ndihma janë të pamjaftueshme”, deklaron Smajli.
Në çerdhen publike “Albiona Asllani” në Shtime, Ledioni ka mbështetjen e asistentes së tij personale, Albina Bytyçi–Emini, e cila kujdeset çdo ditë për përfshirjen e tij në aktivitetet edukative.
“Kur kem të bëjmë me fëmijët me nevoja të veçanta, siç është rasti i Ledionit, duhet te kemi shumë kujdes që të mos bëjmë krahasime-dallime mes fëmijëve. Duhet t’i vlerësojmë çdo përpjekje të tyre pa i krahasuar me fëmijët e tjerë. Me Ledionin i zhvillojmë aktivitetet çdo ditë nga 2 orë, pas mëngjesit. Përveç tij, jam asistente edhe e fëmijëve të tjerë me nevoja të veçanta. Ledionit përfshirja në çerdhe i ka ndihmuar shumë në socializmin e tij”, thotë Bytyçi–Emini.
Në Qendrën Rajonale për Sindromën Down në Ferizaj, terapistja zhvillimore Eljesa Murseli thekson rëndësinë e përfshirjes së hershme të këtyre fëmijëve në mjedise të përbashkëta arsimore.
“Ne e dimë se përfshirja në shkolla është e rëndësishme, e sidomos për fëmijët me sindrom Down. Ndikon në aspektin e tyre social dhe njohës. Nëse një fëmijë bashkëpunon afër me bashkëmoshatarët e tij, ose edhe me mësimdhënësit e tyre, këta fëmijë do të zhvillohen në aspektin social e njohës. E kemi një rast së fundi që një fëmijë me Sindromën Down është pranuar në çerdhe dhe po e vërejmë ndryshimin pozitiv te ai. Edhe për prindërit është më lehtë kur fëmijët e tyre kanë qasje në shkolla publike. Për fëmijët me Sindromën Down është e rëndësishme që ta kenë mbështetjen e prindërve, qendrave për sindromën Down dhe institucioneve arsimore publike”, deklaron Murseli.
Shembulli i Ledionit tregon se përfshirja e fëmijëve me Sindromën Down në institucionet arsimore, qoftë publike apo private, nuk është vetëm një e drejtë themelore, por edhe një mundësi e vlefshme për socializim, zhvillim dhe ndërtim të një shoqërie më të ndjeshme dhe gjithëpërfshirëse.
Ndjekja e mësimeve në shkollat publike për personat me Sindromën Down është e përcaktuar edhe me ligjet e Republikës së Kosovës, të cilat garantojnë barazi në arsim dhe mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta.