SOT

Brenda dyerve ku personat me aftësi të kufizuara marrin mbështetje për një jetë më të mirë

Pikturat e varura në mur, u dhuruan nga prindërit si shenjë falënderimi.

Çdo ditë, ata sjellin fëmijët e tyre në këto hapësira.

Të njëjtit, marrin shërbime nga më të ndryshmet dhe për këtë nuk paguajnë asgjë.

Krejt kjo, falë organizatës "Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve në Kosovë", e njohur si HANDIKOS, e cila ka për qëllim që të avokojë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe të ofroj shërbime sociale për ta.

Të njëjtin mision që ka organizata, ka edhe fizioterapeutja Jehona Sllamniku, e cila si me këtë fëmijë, terapinë e bën edhe te 32 fëmijë të tjerë brenda javës, seancë që zgjatë 45 minuta.

“Secili fëmijë këtu në organizatën tonë e ka planin individual të punës. Objektivat që punova me këtë fëmijë kanë qenë ushtrimet për mirëmbajtjen e muskulaturës të trupit dhe fleksibilitetit, ushtrimet për ngritjen e kokës si dhe ushtrimet që janë për motorikën fina apo të duarve që është arritja objektit”, ka thënë Sllamniku.

Shërbimet fizioterapeutike që ofrojnë, ndikojnë në pavarësimin e personave me aftësi të kufizuara duke lehtësuar jetën e tyre.

“Te fëmijët në organizatën tonë, fizioterapia është një ndër shërbimet kryesore që ndikon në mirëqenien e fëmijëve duke ndikuar në përmirësimin e funksionit motorik, ndikon në pavarësimin e tyre dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës, gjithsej në shërbimin tonë, brenda javës marrin shërbime gjithsej 32 fëmijë ku seanca zgjat 45 minuta dhe ku secili fëmijë ka planin individual të punës”, ka shtuar ajo.

Jehona ka treguar se pas një periudhe 3 mujore, gjendja personave që marrin terapi, përmirësohet dukshëm.

“ Deri sa të vjen te plani individual i punës kalojmë përmes një procesi i cili bëhet përmes një kartele vlerësuese e cila është e ndarë në domene ku në atë domen është plani i fizioterapisë. Aty janë të cekura objektivat në varësi të moshës. Po lidhem te fëmija që isha duke e dhënë edhe shërbimin, objektivat për këtë fëmijë është ushtrimi për mirëmbajtjen e muskulaturës dhe fleksibilitetit po ashtu edhe ngritjes së kokës. Pas një periudhe 3 mujore ne vërejmë që kemi ndikuar në përmirësimin e muskulaturës së trupit, fleksibilitetit, parandalimin e deformimeve apo kontrakturave, kemi ndikuar në përmirësimin e  stabilitetit dhe forcës, muskujve të qafës, trungut dhe shpinës ku ndikon që fëmija të arrij të mbajë kokën vetë i pavarur, brenda periudhës 3 mujore nuk është që arrihet por ndikojmë dhe punojmë që me ardhë deri te ai caku”, ka shtuar ajo.

Kaltërina Misini nga HANDIKOS, ka treguar se përveç terapive, puna e tyre shumë dekadëshe numëron plot shërbime duke qenë afër fëmijëve që në vitet e hershme.

“HANDIKOS përkrah dhe punon me personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, punën tonë e kemi të shtrirë në dy drejtime në avokim për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara si dhe në ofrimin e shërbimeve sociale për komunitetin për të cilin ne edhe punojmë me dekada. Në përditshmëri ofron shërbime sociale dhe është dera e vetme e hapur për këto shërbime”, ka thënë ajo.

Gjatë vitit 2025, HANDIKOS ka ofruar mbështetje edhe derë më derë, për ata persona që për shumë faktorë nuk kanë mundur të dalin as nga shtëpitë e tyre.

Për fuqizimin e familjeve, HANDIKOS i ka mbështetur ato me përfshirje aktive në procesin e rritjes dhe zhvillimit.

Në projektin e vitit që lamë pas, kanë qenë afër 500 familje të vlerësuara dhe 261 përfitues.

“ Ka qenë një program shumë i mirëpritur dhe shumë efektiv e i cili mbështete nga UNICEF dhe financohet nga Qeveria e Luksemburgut...”, ka shtuar ajo.

Sfida më e madhe e HANDIKOS-it mbetet mos qëndrueshmëria e projekteve dhe financimi sepse më pas edhe shërbimet ndalen në gjysmë dhe si pasojë, e gjithë puna pëson  regres.

Deri sot, HANDIKOS ka qëndruar në këmbë kryesisht me mbështetje ndërkombëtare teksa mbështetja nga institucionet shtetërore mbetet më afatshkurtër dhe më e rrallë.

Ndryshe, HANDIKOS po vazhdon në mënyrë të rregullt ofrimin e pajisjeve ndihmëse për personat me status paraplegjik dhe tetraplegjik, duke përfshirë përshtatjen, montimin dhe shpërndarjen sipas nevojave individuale.

Aplikimi bëhet në Ambulancën Specialistike në QKUK. Vlerësimi realizohet nga komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë.