Misioni i KFOR-it në Kosovë ka bërë të ditur se ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura e Ibrit në Mitrovicë.
Siç ka njoftuar KFOR-i, kjo po zhvillohet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit të zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it.
Tutje thuhet se ky proces do të zhvillohet gradualisht dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës e EULEX-in.
“Misioni i KFOR-it të udhëhequr nga NATO ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, ky është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushtet në terren dhe do të koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigje.
Gjithashtu thuhet që komandanti i misionit të KFOR-it vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët të institucioneve të Kosovës por edhe të Serbisë dhe se janë të pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mundshëm në aspektin e sigurisë.
“Personeli ynë është i pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. KFOR-i do të ruajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, thuhet mes tjerash.
Sveçla: Largimi gradual i KFOR-it nga Ura e Ibrit lajm i mirë, Kosova po forcohet
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur nisjen e procesit gradual të largimit të trupave të KFOR-it nga ura Kryesore e Mitrovicës. Ai ka deklaruar se, me përmirësimin e situatës së sigurisë, do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës në urën kryesore të Mitrovicës.
Ai tha se procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani ka pasur përgjegjësinë për sigurinë në këtë urë, ndërsa Policia e Kosovës po rrit kapacitetet e saj.
"Patjetër që ky është një lajm i mirë. Gjithë procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani ka pasur përgjegjësinë e sigurisë në këtë urë", tha Sveçla për RTK Live. "Po, sigurisht që me përmirësimin e sigurisë edhe vet prezenca e Policisë së Kosovës do të reduktohet. Është një proces afatshkurtër, i cili do të ofrojë garancë për të gjithë se hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ ndaj askujt. Do të vijë momenti kur hapat e ardhshëm edhe do të bëhen publik, edhe do të shihen ashtu siç po shihen sot. Dhe një gjë e cila ka qenë brengë, por edhe simbol i ndarjes për 27 vite do të jetë një kujtim".
Ai ka thënë se institucionet janë të angazhuara që procesi të përfundojë sa më mirë dhe ka paralajmëruar zhvillime të reja.
"Të gjithë jemi të angazhuar që ky proces të përfundojë sa më mirë që është e mundshme, shumë shpejt do të kemi lajme të tjera të mira", tha ai.
Duke komentuar deklaratat nga Serbia dhe zhvillimet e fundit që lidhen me sigurinë, Sveçla ka thënë se Kosova është forcuar dhe se është e gatshme të garantojë siguri për të gjithë.
"Po, për sa i takon deklaratave, ne jemi mësuar të dëgjojmë në vazhdimësi deklarata të cilat cenojnë sovranitetin, e rrezikojnë rrezikun, e rrezikojnë sigurinë e Republikës së Kosovës. Me thënë të drejtën, nuk është se edhe na bën përshtypje, për shkak se nuk jemi të befasuar nga qëndrimet e tyre. Ashtu siç kam deklaruar edhe më herët, Serbia nuk ka ndryshuar, është po ajo e 98-99-ës, po ajo edhe e viteve të mëhershme. Por, Kosova nuk është më e njëjta. Kosova po forcohet, Kosova realisht po ecën përpara dhe është e gatshme që të marrë të gjitha përgjegjësitë për të garantuar siguri për të gjithë. Dhe përmes kësaj të ofrojmë rrugë e qasje për zhvillim e prosperitet më të tejshëm të Republikës së Kosovës", tha ai.