SOT

Nxënësit të ngarkuar me detyra e kurse, psikologët kërkojnë balancë

Janë mbushur 2 vjet qëkur në kryeqytet disa nga shkollat janë kthyer në mësim tërëditor, e këta nxënës kanë më shumë kohë të mësojnë dhe të diskutojnë brenda orarit të procesit mësimor.

Por disa shkolla të tjera vazhdojnë të jenë me 6 orë mësim e si pasojë e kësaj mësimdhënësit shpeshherë detyrohen t’u japin nxënësve detyra shtesë në shtëpi, e prindërit, në anën tjetër, vazhdojnë t’i angazhojnë ata me kurse private.

E tërë dita e stërngarkuar me mësime, sipas psikologes së shkollës “Asim Vokshi”, Tringa Visoka po ndikon negativisht tek ta.

“Fëmijët ngarkohen më shumë se që duhet e di qe për prindërit dhe mësimdhënësit duan të angazhohen fëmijët por duhet të jetë me masë, fëmijët kanë nevojë për hapësirën e tyre e jo vazhdimisht me qenë të ngarkuar, janë të angazhuar me shumë detyra, teste më të vështira për moshën e tyre, këto janë të caktuara nga ministria, mësimdhënësit e kanë për detyrë, por unë do doja të mos kenë aq shumë ngarkesë në shtëpi”, ka thënë Visoka.

Ajo thotë se të gjithë akterët e përfshirë duhet ditur të bëjnë balancimin mes mësimeve dhe argëtimit.

“Prindërit duan më të mirën për fëmijët dhe këto kurset private e bëjnë për ta por edhe ato janë të tepruara, fëmijët mundemi me i dërgu në ndonjë kurs qe kanë nevojë por jo çdo ditë e të jenë të mbingarkuar sepse më pas nuk kanë kohë as për vetën, t’i dërgojnë në kurse që kanë nevojë dhe të bëjnë balance”, ka shtuar ajo.

Visoka shton se vetë ka trajtuar në shkollë nxënës që kanë kërkuar ndihmë profesionale nga psikologia për shkak mbingarkesës që kanë ndier në shkollë me mësimet.

“Në shkollë kanë 6 orë mësimore dhe në ora 13 e përfundojnë mësimin, nëse janë në kurs ai të jetë pasdite të mos jetë i gjatë e më pas prindërit të kalojnë kohë me fëmijët, të kenë bashkëbisedime se si ka qenë dita e tyre, por edhe me detyra 1 orë do ishte mire pas mësimit qe të mos jetë i ngarkuar por të jetë në mënyrë të organizuar. Kam pas raste kur nxënësit kanë ardh me marr shërbim te psikologia sepse kanë kenë të ngarkuar në shkollë jo qe duan mësimdhënësit por kurrikula është e tillë, edhe nxënësit me te mire për shkak ngarkesës që kanë pas kanë kërkuar takim me psikologen që të largojnë stresin dhe ngarkesën”, ka thënë Visoka.

E Tuana Duraj, nxënëse e klasës së 8-të, tregon se është dashur të angazhohej në një klub sportiv vetëm që të ketë një aktivitet për qejfin e saj dhe të mos ndiejë presionin edhe angazhimin e tepruar me detyra dhe mësime.

“Unë jam në shkollën ‘Asim Vokshi’ këtu fillon orari në 8 kemi 6 orë mësim, pasi nuk kemi mësim tërëditor në këtë shkollë mësimdhënësit detyrohen të na japin detyra shtëpie, kjo është ngarkesë për ne por mundohemi me i klasifiku këto në mënyrë që me pas më të lehtë. Kur kthehem në shtëpi jam e angazhuar në kurse privatë në anglisht dhe volejboll , kjo është ngarkesë jo vetëm për mua por edhe nxënësit e tjerë, e në ato ditë kur nuk kam kurse mundohem të kaloj kohë me familjen. Me volejboll merrem për relaksim të largohem nga mësimi dhe detyrat”, ka thënë Duraj.

Edhe drejtori i kësaj shkolle, Nazif Jashari, përmend se nxënësit ditëve të sotme janë shumë të ngarkuar e pasditja nuk u mjafton për të pasur vëmendjen te dëshirat e të vegjëlve.

“Në ciklin 6-9 është problem me detyra sepse mësimdhënësit nuk kanë kohë me i zgjidh ato gjatë procesit mësimor dhe detyrohen të i bëjnë në shtëpi, mendoj se është ngarkesë sespe në pasdite u merr kohën e lirë dhe ata kanë nevojë të merren me aktivitete tjera sportive. Besoj se fëmijët pasdite janë tejet të ngarkuar ata duhet me u marr me aktivitet relaksuese sportive sepse sporti largon stresin e ankthin. Në këto raste nuk po bëhet bilanci mes mësimit dhe argëtimit, nxënësit vazhdimisht flasin se janë të ngarkuar me mësime dhe se nuk kanë kohë të merren me veten dhe dëshirat e tyre”, ka deklaruar Jasharaj.

Shkolla “Asim Vokshi” është pjesë e mësimit tërëditor, por nxënësit e saj të ciklit 1-5 janë zhvendosur në shkollën “Zenel Hajdini”.