SOT

Nga prindërimi tradicional në atë pozitiv, sfida e prindërve sot

Fëmijët sot dallojnë shumë nga periudha kur janë rritur prindërit e gjyshërit e tyre.

Në mes të prindërimit tradicional është ai modern dhe prindërimi pozitiv.

Por për njohësit e fushës shpeshherë fëmijët në Kosovë nuk kanë edukatë në nivel të kënaqshëm.

Për këtë fajësohet teknologjia dhe mungesa e komunikimit nga prindërit.

Sipas psikologes për fëmijë, Tringa Visoka, prindërit nuk duhet t’i lejojnë fëmijët të jenë krejtësisht të lirë në zgjedhjet dhe sjelljen e tyre. Duhet të ketë një përshtatje mes prindërimit pozitiv dhe atij tradicional në mënyrë që fëmijët të dinë dhe të respektojnë kufijtë e caktuar nga prindërit.

“Prindërimi autoritar, që është një formë më e rreptë prindërimi, sipas studimeve nuk ka efekte të mira te fëmijët. Stili më i mirë që ndikon te ta është prindërimi autoritativ një kombinim mes anës liberale dhe asaj strikte. Duhet gjetur një mes, në mënyrë që prindërit të mos i lejojnë fëmijët të mos njohin kufijtë e tyre, por as të bien në ekstrem duke qenë shumë të rreptë. Prindërimi i ashpër nuk është i duhuri, ai i bën fëmijët më të ftohtë, më të egër dhe me sjellje negative. Prindërit duhet të ulen me fëmijët në një pozitë të barabartë, për shembull në karrige, kur diskutohet ndonjë problem. Fëmija në këtë mënyrë ndjehet i barabartë me prindin dhe në atë formë duhet t’i tregohet se sjellja e tij ka qenë e gabuar dhe se herën tjetër duhet përmirësuar”, ka thënë Visoka.

Visoka, e cila është edhe psikologe në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë, tregon se ka prindër që gabimisht favorizojnë fëmijët e tyre dhe ankesat e mësimdhënësve nuk i marrin si të mirëqena e përkundrazi i kundërshtojnë ato.

“Sot është e kundërta në krahasim me të kaluarën, prindërit po i favorizojnë fëmijët. Kur shkolla i tregon prindit se fëmija i tyre ka bërë diçka gabim, ata nuk e pranojnë këtë fakt. Unë çdo ditë përballem me raste të tilla, por prindërit duhet të kuptojnë se a po e edukojnë fëmijën në maksimum, edukimi vjen nga shtëpia. Fatkeqësisht, prindërit po bëjnë të kundërtën. Duhet menduar se sa po bëjnë vetë për fëmijët e tyre dhe fjalët e stafit të shkollës duhet të merren më seriozisht”, ka thënë ajo.

Ajo thekson se komunikimi është çelësi i një raporti të mirë mes prindërve dhe fëmijëve.

“Është mirë të ketë kufij, të dihet deri ku e ka cakun fëmija. Kjo ndikon pozitivisht në vlerat njerëzore dhe respektin. Më herët ka pasur më shumë respekt, mësimdhënësit shiheshin me një sy tjetër. Shpresoj që edhe sot të jetë njësoj. Një këshillë për prindërit të flasin sa më shumë me fëmijët, të komunikojnë me ta. Kur ka bashkëbisedim dhe kur sqarohen problemet, gjithçka tejkalohet më lehtë. Por gjithmonë duhet të ketë kufij”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, Ganimete Dobratiqi Karavidaj, nënë e dy fëmijëve, thotë se prindërimi i saj është një përshtatje mes asaj që ka parë nga prindërit e saj dhe mënyrës moderne. Ndryshe nga prindërit e saj, ajo thotë se i dëgjon më shumë fëmijët, madje edhe mëson nga ta.

“Duke filluar nga prindërit e mi që kanë pasur rregulla më të rrepta, unë sot si prind jam më ndryshe. Jam një kombinim mes prindërve të mi dhe atyre të sotëm. Unë sot si prind i dëgjoj fëmijët e mi. Ne jemi rritur duke dëgjuar vetëm prindërit, por tani unë jo vetëm që i mësoj fëmijët e mi, por edhe mësoj nga ta, shpesh befasohem prej tyre”, ka thënë Dobratiqi-Karavidaj.

Ajo shton se nuk ka preferuar asnjëherë të jetë nënë autoritare, por edhe një raport shoqëror me fëmijët nuk e ka praktikuar.

“Nuk duhet të jemi shokë me fëmijët, duhet të ketë rregulla, por pa dhunë. Me fëmijët duhet komunikuar, është forma më e mirë për zgjidhjen e problemeve. Kemi prindërimin tradicional dhe pozitiv, por prindër autoritarë nuk duhet të jemi sepse kjo është gabim”, ka shtuar ajo.

Për sa i përket shpërblimeve, thotë se i jep rrallë dhe nuk dëshiron që fëmijët të mësohen me idenë se pas çdo arritjeje duhet të shpërblehen. Ajo thekson se dhuna nuk ka qenë kurrë pjesë e edukimit të tyre.

“Unë nuk i shpërblej fëmijët rregullisht, sepse nëse e bëj, ata mësohen që pas çdo arritjeje apo note të mirë duhet shpërblyer. Ne si prindër duhet të jemi krenarë për sukseset e tyre, por jo gjithmonë duhet të plotësohen dëshirat. Nganjëherë shpërblimi është i nevojshëm, por jo si rregull. Asnjëherë nuk përdor dhunë, ajo nuk është zgjidhje. Për të pasur një fëmijë të vlerësuar dhe të suksesshëm, duhet dhënë dashuri dhe përkujdesje. Prindërit e sotëm janë shumë të angazhuar në punë, por në fakt duhet të jenë sa më pranë fëmijëve, sepse ata kanë nevojë për atë lloj pranie”, ka thënë ajo.

Prindërimi pozitiv i cili rekomandohet për të pasur një fëmijë të suksesshëm bazohet në komunikim mes prindërve dhe fëmijëve dhe me kalim të kohës kualitative së bashku.

Prindërimi pozitiv kërkon caktim të kufijve, por duke ofruar përkrahje emocionale e duke mësuar fëmijët për dashuri e respekt për veten dhe të tjerët pa dënime e dhunë.