SOT

Nxënësit ndajnë përvojat e njohuritë për diabetin

Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” kanë organizuar një aktivitet lidhur me muajin e ndërgjegjësimit për parandalimin e diabetit

Ora e biologjisë në gjimnazin “Sami Frashëri” nisi me mësime rreth diabetit.

Kjo u bë në kuadër të muajit për ndërgjegjësim për atë që në popull njihet si sëmundja e sheqerit.

Simptomat e sëmundjes e detaje të tjera i ligjëruan vetë nxënësit, të cilët aktivitete të tilla bëjnë për muaj të ndryshëm.

Informatat e përgjithshme për ligjëratë i mblodhi Anisa Rrukiqi bashkë me 6 pjesëmarrës të tjerë.

Pos ligjëratës ata shpërndanë te bashkëmoshatarët edhe një broshurë për diabetin.

Era Hyseni, një nxënëse tjetër e shkollës, ka ndarë përvojat e familjes të saj lidhur me diabetin.

Nxënësit gjatë orës së biologjisë kanë interesim të madh për tematikat që kanë të bëjnë me sëmundjet në përgjithësi, thotë profesoresha Florije Sejdiu.

Ajo shton se këto ligjërata kanë ndikuar shumë edhe te nxënësit që vetë kanë probleme me diabetin.

Përveç faktorit trashëgues, ushqimi jo i mirë e mbipesha tek adoleshentët janë faktorë rreziku për diabet të tipit 2.