Të hënën në Prishtinë ka nisur java e mobilitetit. Për nder të kësaj dite, gjatë të hënës, autobusët e “Trafikut Urban” kanë qenë pa pagesë. Përveç kësaj, qytetarët kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë edhe biçikletat falas.
Me fytyra të buzëqeshura po bëjnë xhiro me autobus, rreth qendrës së Prishtinës.
Rreth 100 nxënës të shkollave fillore të Prishtinës, përmes aktiviteteve të ndryshme po shënojnë hapjen e Javës së Mobilitetit, të organizuar nga Komuna e Prishtinës.
Qëllimi i gjithë kësaj është që fëmijët ta kuptojnë rëndësinë e përdorimit sa më të pakët të veturave.
Autobusët, biçikletat e ecja, do të promovohen gjatë kësaj jave si mënyrat më të shëndetshme për transport.
“Është shumë e rëndësishme të vetëdijesohen fëmijët që autobusin të mos e kenë si mjet të transportit alternativ, por që atë ta shfrytëzojnë si mjet transporti. Këtu duke përfshirë edhe përdorimin e shumtë të biçikletave dhe ecjen në këmbë. Sot i kam sjellë 100 fëmijë këtu, të cilët e kanë bërë një xhiro me autobusë dhe aty ka pasur një ligjëratë të shkurtër për moshën e tyre dhe është treguar se sa është i rëndësishëm përdorimi i autobusit dhe sa është e rëndësishme që të mos përdoret nga një veturë për secilin, për shkak të mbrojtjes së ambientit”, thotë Ariana Kasapolli, drejtoreshë e Qendrës Kulturore për Fëmijë
Në kuadër të kësaj fushate, fëmijët përfituan 5 biçikleta.
“Nxënësit erdhën shumë të lumtur prej turit të autobusit, gjithashtu thanë që do ta shfrytëzojnë. Ideja e krejt kësaj është edhe një lojë shpërblyese që do t’u dhurohen dy biçikleta, njëra për vajza dhe njëra për djem. Gjithashtu edhe në garën me biçikleta do të ketë edhe dy biçikleta të tjera. E pastaj do të jetë edhe një lojë që do ta luajnë, “Minecraft”, i cili zhvillon mendimin kritik të fëmijëve, edhe aty do të ketë një biçikletë”, thekson Kasapolli.
Komuna e Prishtinës, gjatë së hënës mundësoi për qytetarët përdorimin pa pagesë të autobusëve të “Trafikut Urban”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama deklaroi se Prishtina është në mesin e 3 mijë qyteteve të Evropës që po bën promovimin e lëvizshmërisë pa makina.
“Java e mobilitetit është javë që organizohet në më shumë se 3 mijë qytete të Evropës, ndër to është edhe Prishtina, ku shikohen edhe alternativa të tjera të lëvizshmërisë, përveç makinave. Po e shohim se çdo kund në botë e posaçërisht në vendet e Evropës, e po ashtu edhe në Prishtinë, po i shohim problemet e shumta me trafik, ku po synojmë të krijojmë hapësira më të mira, më të sigurta duke krijuar shtigje të biçikletave edhe mundësi, sikurse tash, Prishtina për herë të parë i ka 100 biçikletat e para, e po ashtu me shtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’. Janë këto mënyrat e ndryshme të mobilitetit të lëvizshmërisë ku edhe me transportin urban me 30 autobusët e rinj dhe këtë javë po i nënshkruajmë kontratat edhe me kompanitë private. Ku tash me një biletë, pra nga 1 janari e blen një biletë dhe ajo mund të shfrytëzohet me anë të ‘Trafikut Urban’ edhe për kompanitë private. Janë mënyrat e ndryshme që ne po i shtyjmë përpara për qytetarët”, tha ai.
Nga tetori, Rama thotë se do të fillojnë matjet për ta ditur saktë numrin e makinave që qarkullojnë në Prishtinë.
“Si dita e parë e kësaj jave, le të jetë dita e parë e së ardhmes së kryeqytetit tonë që qytetarët po vetëdijesohen që të ecin është më e sigurt dhe më e shëndetshme. E kemi vendosur sistemin e qytetit të mençur dhe në fund të tetorit, do të kemi mundësi t’i matim të dhënat saktë dhe të marrim intervenime në relacion me të dhënat që i kemi. Kam thënë edhe në kampanjën time të parë që na duhen dy mandate për t’i përmbushur premtimet. Absolutisht që do të jem edhe për një mandat. Dhe do t’i shtyjmë përpara të gjitha punët që kanë mbetur në gjysmë”, deklaroi Rama.
Pasi autobusët ishin pa pagesë, edhe përdorimi i tyre ishte më i madh, thotë Mentor Isufi nga “Trafiku Urban”.
“Çdo kund në botë kur është pa pagesë shfrytëzohet më shumë, por ne kemi rritje të madhe në krahasim me vitin e kaluar. Pra kanë filluar ta përdorin më shumë me aplikimin e biçikletës ditore, ku 30 për qind është përdorimi më i madh. Planifikojmë që me ardhjen e autobusëve të rinj t’i plotësojmë edhe më shumë kërkesat e qytetarëve”, thotë ai.
Përveç autobusëve, pa pagesë ishin edhe biçikletat e reja, që u vendosën në përdorim të qytetarëve rreth dy javë më parë.
“Sot janë pa pagesë dhe kanë të drejtën e shfrytëzimit gjatë gjithë ditës. Pra mundësia e hapjes është vetëm me aplikacion, pasi kjo e mundëson edhe përdorimin pa pagesë, pasi ne e dimë se cili aplikacion e ka hapur biçikletën, prandaj është e rëndësishme që pas shfrytëzimit, të kthehen në stacionet adekuate. Prej mëngjesit ne pamë një shfrytëzim të lartë. Personalisht isha në rrethin e rrugës B dhe C dhe gjeta një stacion që nuk kishte asnjë biçikletë për shkak të shfrytëzimit të lartë dhe shpresojmë që kjo do të vazhdojë gjithmonë”, thekson Sokol Havolli, kryeshef i “Prishtina Parking”.
“Java Evropiane e Mobilitetit” do të zgjasë deri më 22 shtator.