Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Libri, pjesë e fëmijëve edhe jashtë procesit mësimor

Në hapësirat e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” mbretëron qetësi. Jo sepse ka fëmijë duke lexuar, por përkundrazi.

Bibliotekarja tregon për vizitat e rralla që i ka nga nxënësit e shkollave fillore.

Edhe ata të cilët janë lexues të rregullt, gjendja me pandeminë i ka penguar ta zhvillojnë aktivitetin e tyre për më shumë se 1 vit.

Përderisa biblioteka e qytetit është e zbrazët, ajo në shkollën fillore “Naim Frashëri” është e mbushur me nxënësit e klasës së 9-të, të cilët po e zhvillojnë orën në lëndën e Gjuhës Shqipe me arsimtaren Sabire Muqolli.

Arsimtarja Muqolli e shfrytëzon bibliotekën e shkollës që të diskutojë për librat, e për t’i nxitur nxënësit që të lexojnë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të arsimtares, nxënësit bëhen pjesë e diskutimit dhe pa ngurrim komentojnë mbi librat e lexuar.

Morena Ismaili duke e komentuar librin e fundit që e ka lexuar.

Krahas autorëve botërorë, nxënësit po inkurajohen që të lexojnë edhe autorë shqiptarë, kërkesë së cilës po i përgjigjen pozitivisht.

Leximit të rregullt në shkollën “Naim Frashëri” po i kushtohet rëndësi edhe me aktivitetet jashtë planprogramit.

Tashmë 20% e notës varet nga librat e lexuar brenda një gjysmëvjetori, gjë që po e ka efektin e paramenduar te nxënësit.

Një gjë që po shikohet si pozitive edhe nga mësimdhënësit edhe nga bibliotekarja është edhe dëshira për të lexuar në gjuhët e huaja. Kjo e hap një horizont më të gjerë të mendimit sipas tyre.

Artikuj të ngjashëm