Ambientit të ri të bibliotekës i janë gëzuar nxënësit e shkollës fillore të fshatit Llukar të Prishtinës.
Këta janë nxënësit nga klasa e parë tek e nënta, të cilët çdo ditë i drejtohen Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, dega në Llukar.
Në mesin e këtyre nxënësve është Aniku, i zgjedhur si lexues i vitit të shkollës “Ganimete Tërbeshi”.
“Unë jam 10-vjeçar, nxënës i shkollës ‘Ganimete Tërbeshi’. Leximi të jep shumë dije dhe të ndihmon që ta pasurosh fjalorin. Nuk e di me saktësi se sa libra unë i lexoj gjatë vitit, por mesatarisht po mendoj që i kam lexua 20 libra për 1 vit dhe kryesisht janë të zhanrit komedi, sepse është zhanri që më pëlqen më shumë. Për të gjithë moshatarët e mi e drejtoj një thirrje që sa më shumë të lexojnë për një mendje të pasuruar me dije”, thotë ai.
Edhe Diari, Uerta e Inara, janë nxënës që dallojnë në moshë, por bashkë i bën çdo ditë ambienti i njëjtë, biblioteka.
Përplot libra i kanë edhe shtëpitë e tyre, thonë ata.
“Nga leximi i rregullt e kam kuptuar që sa herë që e marr një libër të ri e ushqej trurin tim me dije. Për momentin kam zgjedhur ta lexoj librin ‘Ditari i Grekut’ një libër komedi që po më pëlqen shumë dhe po e shijoj leximin e tij”, tregon Diari.
Edhe Uerta thotë se i pëlqen leximi.
“Më pëlqen jashtë mase leximi, prandaj çdo ditë vij këtu në bibliotekë dhe jam e lumtur që tash e kemi këtë ambient. Unë edhe në shtëpi tash kam shumë libra që i lexoj shpesh edhe për herë të dytë. E këtu në bibliotekë vij e relaksohem pas orëve të mësimit”, deklaron ajo.
Inara thotë se vjen çdo ditë në bibliotekë.
“Unë jam Inara, nxënëse e klasës së dytë. Dollapi im në shtëpi më është mbushur plot me libra që as nuk po kam vend më, por kjo më lumturon se në shtëpi kam libra që i kam pëlqyer shumë e kur të dua i kthehem prapë për t’i lexuar. Gjithashtu në bibliotekë jam çdo ditë dhe lexoj librat që edhe shokët e shoqet e mia më rekomandojnë pasi i kanë lexuar vetë ata”.
Rinovimi i objektit të kësaj bibliotekës në Llukar të Prishtinës ka bërë që ta rrisë numrin e lexuesve të rregullt, thotë bibliotekarja Shpresa Krasniqi.
“Pas renovimit të këtij objekti, derisa e kemi rregullu këtë objekt dhe kemi dalur kët. Siç e shihni tash e kemi një ambient krejt tjetër dhe mundësia për të pasur sa më shumë lexues këtu është më e madhe. Ky ka qenë synim i kahershëm që sa më shumë me e afru nxënësin pranë librit, sepse siç dihet ka histori të ndryshme nga librat e ndryshëm që fatmirësisht furnizohemi në vazhdimësi nga degës kryesore të bibliotekës “Hivzi Sylejamni” në Dardani si ato të autorëve vendor ashtu edhe të atyre të huaj”, thekson Krasniqi.
Përveç nxënësve të “Ganimete Tërbeshit”, Krasniqi thotë se kësaj biblioteke drejtohen edhe ish-nxënësit e shkollës e edhe të rriturit.
“Kjo bibliotekë është shumë funksionale aq sa përveç fëmijëve, janë edhe moshat e rritura që vijnë këtu për të marrë libra e gjithashtu edhe ish-nxënës të kësaj shkolle. Duke qenë se vite më parë ka qenë objekti i dëmtuar i vjetri ku kemi qenë, numri ka qenë më i ulët i lexuesve, ndoshta kanë marrë lektyra po nuk kanë mundur t’i lexojnë në ambient të bibliotekës, ndërkaq tash me ambientin e ri, kam shku vetë në shkollë dhe kam bisedu me mësueset që t’i aktiviziojnë nxënësit sa më shumë në lexim. Po e vërej që gradualisht ata kanë shkuar duke u interesuar më shumë për librin dhe jo me imponim, por nga një libër kanë vazhduar ta zgjedhin tjetrin e tjetrin”, deklaron Krasniqi.
Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, dega në Llukar, furnizohet vazhdimisht nga dega kryesore në Dardani me libra të të gjitha zhanreve e për të gjitha grupmoshat.