SOT

Librat që nxisin fëmijët të lexojnë e të largohen nga telefonat

Erzë Surdulli

“Simba”, “Pinokio” e “Pipi Çorapegjata” vazhdojnë të jenë personazhe të dashura për fëmijët.
Historitë e këtyre personazheve marrin jetë kur i lexojnë bashkë në klasë, aty ku mësuesja i shndërron faqet e librit në momente të paharrueshme.

Për të nxitur dëshirën për leximin, në klasën e mësueses Shukrije Thaqi kanë krijuar një mini bibliotekë, ku nxënësit mund të zgjedhin vetë librin dhe vendin se ku dëshirojnë ta lexojnë.

“Interesimi për lexim veç se po flitet dhe është e vërtet që ka rënë kohëve të fundit por mundohemi në forma të ndryshme të ja mbjellim dëshirën për lexim. Mundohemi ne si mësimdhënës duke parë që interesimi është i vogël për leximin e lektyrave mundohemi në forma të ndryshme, në klasën tonë e kemi krijuar një mini bibliotekë, ku nxënësit janë të lirë të marrin në hapësira të ndryshme kohore kur janë të lirë nga detyrat obligative, të lexojnë në këndin e leximit apo në bankën e tyre ku kanë dëshirë ata”, ka deklaruar Thaqi.

Sipas mësueses, mbështetja për fëmijët duhet të vijë edhe nga familja, për t’i bërë lektyrat pjesë të përditshmërisë dhe eksperiencave të tyre.

“Në të shumicën e rasteve marrin mbështetje por edhe nuk marrin, dëshira e të lexuarit nga ana e fëmijëve përveç se ndikon motivimi nga mësuesja në shkollë, duhet që patjetër të jetë edhe motivimi nga prindërit dhe besoj që forma më e mirë është leximi të bëhet nga vetë prindërit për të parë fëmijët dhe për ta mbjell dashurin për leximin. Të mundohemi që të përdorim metoda të ndryshme që fëmijët ta kenë dëshirë leximin dhe jo si detyrim, momentin që është detyrim atëherë suksesi te leximi dëshira për të lexuar s’ka për t’u ngjallur kurrë”, ka shtuar Thaqi.

Ani pse teknologjia tani ka marrë shumë vëmendjen e fëmijëve, por prindërit si Lumnije Hyseni tregojnë se mundohen të mbajnë gjallë interesimin e fëmijëve të tyre për leximin.

“Mendoj se ka rënë interesimi për leximin e lektyrave në tërësi sepse po jetojmë në shekullin e teknologjisë shumë tërheqëse po janë mjetet elektronike se sa libri. Unë si prind kohën e mbrëmjes, para gjumit që së bashku me fëmijën tim të lexoj bashkërisht me të si dhe të ja krijoj ambientin tërheqës për lexim. Kërkoj nga të gjithë prindërit që larg lojërave digjitale, larg mjeteve elektonike t’i pasurojmë fëmijët me lektyra, me libra me botime të librave, t’i vedijesojmë fëmijët për lexim sepse një fëmijë i cili lexon, krijon shprehi në të folur, krijon personalitetin, zhvillon të menduarit kritik si dhe është fëmijë më i pasuruar”, ka deklaruar Hyseni.

Nga ana e librarisë “Dukagjini”, koordinatori Elvin Blakaj, thekson se vitet e fundit ka pasur një rritje të interesit për librat e fëmijëve, sidomos kur prindërit mundohen të zgjedhin libra, që t’i angazhojnë në mënyra të ndryshme.

“Vitet të fundit nuk e kemi parë një gjë të tillë, ne faktikisht e kemi parë një ngritje, kur po flas ngritje po flas për një konsulidim të klientëve që i kemi pas të rritjes së volumit të librave që i marrim për fëmijët e vet se zakonisht fëmijët nuk blejnë libra për veti por prindërit i blejnë librat për fëmijë”, ka theksuar Blakaj.

Interesi i fëmijëve po kthehet drejt librave ndërkombëtarë, duke e lënë mënjanë letërsinë klasike që dikur lexohej më shumë në shkolla, shtoi koordinatori.

“Letërsia klasike e vjetër shqipe po lexohet më pak, në gjeneratat e kaluara në nivelet shkollore është lexuar shumë më shumë, tash kemi rritje të literaturës ndërkombëtare, posaçërisht të literaturës ndërkombëtare që fokusohet tek fëmijët”, ka thënë ai.

Blakaj thekson se fëmijët shpesh leximin e shohin si obligim, andaj familja duhet që ta prezantojë librin si kënaqësi dhe jo detyrim.

“Për mu është familja, tash nuk mundem me thënë që i largon fëmijët nga leximi më shumë mundem me thënë që po i distancon fëmijët prej fillimit të leximit, kultura familjare e leximit është diçka që është shumë e rëndësishme për çdo lexues, tu e njeh edhe prej vetit edhe familjes teme, por edhe çdo familje që e njoh, fëmija nuk e merr leximin primarisht si një detyrë argëtuese, është diçka që duhet ta mësojë si diçka që duhet bërë është një akt pozitiv. Fokusohuni, fokusohuni që të krijoni një lloj  bazamenti të leximit të fëmijëve sa më herët, është diçka që duhet t’i përcjell për të mirë gjatë gjithë jetës”, ka shtuar Blakaj. 

Edhe pse interesi për lexim ka ndryshuar ndër vite, librat vazhdojnë të mbeten pjesë e zhvillimit të fëmijëve.