SOT

“Hajvalia në tri dekada”, pasqyrohet bashkëjetesa e banorëve

Hajvalia

Aktualisht, lagjja “Hajvalia” në kryeqytet numëron rreth 14 mijë banorë, shumica e të cilëve janë të ardhur nga treva të ndryshme të Kosovës, si dhe nga Presheva, Medvegja dhe Shqipëria.

Pavarësisht nga diversiteti i tyre, banorët e kësaj lagjeje bashkëjetojnë në harmoni dhe kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin e komunitetit.

Ngjarjet e rëndësishme që kanë ndodhur në këtë lagje përgjatë viteve janë përmbledhur në një libër të titulluar “Tri dekada zhvillim të Hajvalisë”, nga Xheladin Fazliu, banor i kësaj lagjeje.

“Duke parë në terren që ka edhe gjenerata të reja por edhe të vjetra të cilat kanë mungesë të informacionit në lidhje me objektet e vjetra që gjenden në lagjen tonë siç janë, xhamia, shkolla, posta. Biseda me njerëz më ka treguar që nuk i dinë rrethanat e as datat e ngjarjeve mua më ka lindur si ide botimi i këtij libri. Kjo është punë njëvjeçare për të cilën më kanë ndihmuar edhe të tjerët duke më dhënë informacione për komunitetin dhe lagjen dhe kam bashkëpunuar me të gjithë. Besoj që kemi bërë një punë modeste për lagjen tonë”, thekson Fazliu.

Përveç pasqyrimit e historisë së lagjes, Xheladin Fazliu së bashku me shokët e tij të lagjes janë të angazhuar gjithashtu në aktivitete bamirësie. 

“Kërkesat për bamirësi i kemi nga më të ndryshmet. Ne mundohemi të jemi kujdestarë të familjeve në nevojë. Kështu ne mundohemi së bashku edhe me mërgatën dhe njerëzit e vullnetit të mirë që të japim ndihmë në lagje e po ashtu edhe me biznese të ndryshme. Kemi kryer punë edhe në aspektin social ne kemi ndërtuar edhe shtëpi në lagje, pastaj kemi mbledhë para edhe për mjekime të ndryshme, të gjitha këto bashkërisht”, deklaron ai.

Fatmir Bajrami, po ashtu banor i kësaj lagjeje, thekson se në “Hajvalia” jetojnë edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera dhe ata bashkëjetojnë në harmoni, duke ndihmuar njëri-tjetrin.

“Prej pasluftës lëvizja e popullatës ka ndodhur në gjithë Kosovën, në këtë rast edhe në Hajvali këtu kanë ardhur shumë banorë prej trevave të ndryshme. Ne kemi harmoni mes vete dhe të ardhurit e kanë gjetur  veten shumë mirë. Lagja është duke u rritur çdo herë e më shumë. Këtu jetojnë banorë që kanë ardhur edhe nga Subotica e Beogradi, ata janë integruar shumë mirë kanë shtëpi e toka. Fëmijët e tyre janë rritur këtu”, thekson Bajrami.

Burim Krasniqi e veçon lartë punën e Xheladinit në botimin e librit, duke theksuar rëndësinë e tij për ruajtjen e historisë së lagjes dhe edukimin e gjeneratave të reja.

“Ideja për botimin e librit ka qenë shumë e mirë. Në të janë të përmbledhura të gjitha fushat dhe ngjarjet që kanë ndodhur në Hajvali. Duke e pasur parasysh që kemi të përfshirë në bashkëjetesë qytetarë prej të gjitha viseve që jetojnë atu. Kemi shumë gjëra që i bëjmë bashkërisht me banorët e Hajvalisë, duke e pasur parasysh që komuniteti ka nevojë për gjëra të ndryshme dhe jo vetëm në aspektin e sigurimit të produkteve ushqimore por edhe në të jemi afër nevojtarëve në çfarëdo forme në hallet e tyre. E kemi zgjeruar fushën e kontributit edhe në sport, arsim pra përveç bamirësisë”, thotë Krasniqi.

Lagjja “Hajvalia” sot ka afërsisht mbi 2300 shtëpi. Sipas banorëve, para 100 vjetësh, këtu kanë jetuar rreth gjashtë familje shqiptare, të cilat, si Gashi, Sopjani dhe Berisha, janë të ardhur kryesisht nga Toplica.

Nga vitet '70 dhe deri më sot, ka pasur një rritje të konsiderueshme të popullsisë.